Vuçiq nuk e ndal dialogun
Beograd, 18 mars - Fitorja e Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare në Serbi nuk do të reflektohet në bisedimet Prishtinë - Beograd, pasi që edhe kryeministri i ardhshëm serb ka dhënë garanci se integrimi në BE është prioritet.
Sipas analistëve në Prishtinë, Vuçiq dhe qeverisja e tij mund të ndikojnë në dinamikën e procesit të bisedimeve, por jo edhe në ndaljen e tyre, madje disa nga ta mendojnë se Vuçiq do tu japë fuqi më të madhe serbëve kosovarë.
Analisti Azem Vllasi tha se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë që Vuçiq të ndryshojë kursin e deritanishëm të dialogut me Kosovën.
Bashkimi Evropian tani edhe më shumë do të kërkojë zbatueshmërinë e marrëveshjeve të dialogut. Vuçiq nuk do të lejohet të ndryshojë qasjen e këtij dialogu, për shkak se ai është i vetëdijshëm që BE ka vënë kusht ndaj Serbisë dialogun, që Beogradi të ecë drejt integrimeve evropiane, tha Vllasi.
/Zëri/