Vuçiq e Westerwelle do të diskutojnë për serbët e Kosovës
Beograd, 18 maj - Dy tema kyçe çështja e shtetësisë dhe e dokumenteve personale për serbët e Kosovës, do të jenë në tavolinë gjatë darkës së punës të cilën të dielën mbrëma nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq do ta organizojë për Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili vjen për vizitë dyditëshe në Beograd, mëson gazeta Veçernje Novosti.
Nga epilogu i bisedimeve mbi këto dy çështjet të rëndësishme për Beogradin, do të varet nëse do të hapen dyert për marrëveshje përfundimtare rreth Planit të jetësimit të marrëveshjes së Brukselit ndërmjet kryeministrave Daçiq dhe Thaçi, e me këtë edhe marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian (BE), shkruan Novosti duke iu referuar burimeve diplomatike.
Beogradi po kërkon që serbëve të Kosovës tu garantohet shtetësia e Serbisë dhe që me dokumentet e saj të mund të dalin në votimet lokale të planifikuara për vjeshtë, kurse Westerwelle do tua përcjellë zyrtarëve serbe pritjet e Gjermanisë, respektivisht siç cekin burimet e gazetës, kushtet e Berlinit për të dhënë dritën e gjelber për datën në samitin e BE, më 28 qershor.
Sikurse mëson gazeta, Westerwelle gjithashtu do tu rekomandojë autoriteteve të Beogradit se Berlini do të ushtrojë trysni shtesë mbi Prishtinën që të heq dorë nga kërkesa që menjëherë të shuhen institucionet ilegale serbe në Kosovë, e që Beogradi si kundërpërgjigje duhet të tregojë vullnet të mirë që në afatin më të shkurtër të mundshëm, ti zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me policinë e gjyqësinë.
Këtë zgjidhje të mesme, sikurse cek gazeta në fjalë, e ka miratuar edhe Washingtoni, i cili është pajtuar që institucionet ilegale serbe të vazhdojnë të funksionojnë deri në zgjedhjet e vjeshtës të cilat, siç thuhet, bashkë do ti organizojnë Prishtina, Beogradi dhe OSBE, pas çkaje do të niste formimi i organeve të Bashkësisë së komunave serbe në veri të Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit.