Vuçiç: Erdogan të kërkojë falje
Beograd, 25 tetor - Deklarata e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, se Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë ka nxitur reagimin e autoriteteve serbe.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka bërë thirrje Erdoganit që urgjentisht të kërkojë falje.
Kjo deklaratë është skandal i madh dhe i bëj thirrje Turqisë dhe kryeministrit të saj, Erdogan, të kërkojë falje publike. Kjo është një sjellje e papranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe duhet të shohim se cilat do të jenë reagimet e shteteve të tjera,-ka thënë Vuçiç, bëjnë të ditur mediat në Beograd.
Të enjten ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Serbisë, duke thënë se të gjithë në botë e dinë se Kosova është fjalë serbe dhe territor serb, madje edhe ata që kanë pranuar këtë kuazi-shtet.
Erdogan e ka bërë deklaratën gjatë qëndrimit në Kosovë, me rastin e inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës.