Vetmia paraqet risk për shëndetin fizik dhe mendor të personave të moshuar
Prishtinë, 28 janar - Sigurimi i mbështetjes së prekshme për personat e moshuar për kryerjen e detyrave të përditshme, siç është blerja e ushqimeve, është me rëndësi themelore për trajtimin e vetmisë, sipas një ankete të re të botuar sot nga UNFPA, Fondi për Popullsinë i Kombeve të Bashkuara dhe University College i Londrës.
Anketa u realizua në gjysmën e vitit 2021 mes personave të moshuar nga 65 deri në 85 vjeç në gjashtë vende dhe territore në Evropën Lindore – Shqipëri, Azerbajxhan, Bosnjë dhe Hercegovinë, Gjeorgji, Serbi, si dhe Kosovë (KSOKB 1244).
“Vetmia paraqet risk madhor për shëndetin fizik dhe mendor të personave të moshuar, si dhe minon përpjekjet për promovim të plakjes së shëndetshme dhe aktive,” tha Giulia Vallese, U.d. Drejtoreshë e UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
“Kjo anketë na ndihmon t’i kuptojmë më mirë faktorët e riskut për vetminë dhe çka mund të bëjmë për t’u siguruar që të moshuarit të ndihen më pak të vetmuar gjatë pleqërisë.”
Fakti që pandemia COVID-19 i ka vënë në pah sfidat me të cilat përballen shumë persona të moshuar, paraqet një mundësi për gjenerim të vullnetit politik për trajtimin e vetmisë dhe për arritjen e përparimit në krijimin e shoqërive për të gjitha moshat, shtoi znj. Vallese.
Në Evropën Lindore, popullsia po plaket me shpejtësi, shkaku i kombinimit të rritjes së jetëgjatësisë, shkallëve të ulëta të lindshmërisë dhe niveleve të larta të migrimit jashtë shtetit.
Në këtë kontekst, është me rëndësi kyçe që të sigurohet që qytetarët të plaken me shëndet të mirë dhe si pjesëmarrës aktivë në shoqëri. Sidoqoftë, sipas anketës, tetë në dhjetë persona të moshuar, ose 79 për qind, thonë se përjetojnë vetmi të moderuar ose të jashtëzakonshme.
“Konstatimi se mungesa e mbështetjes së prekshme është faktori kryesor i riskut për vetminë, duhet të shërbejë si fokus i qartë për intervenime të targetuara për trajtimin e vetmisë mes kësaj popullate të personave të moshuar. Duke i adresuar këto nevoja, ne mund të ndihmojmë në mbështetjen e plakjes së shëndetshme për personat e moshuar në rajon”, tha Tara Keck, profesoreshë e Neuroshkencës në University College të Londrës, e cila e drejtoi anketën.
Anketa tregon se, përveç mungesës së mbështetjes së prekshme, faktorët e riskut për vetminë përfshijnë ekzistencën e rrjetit të vogël social, mungesën e dikujt me të cilin mund të bëhen gjëra të këndshme, si dhe një nivel të ulët të vetëbesimit social.
Nga ana tjetër, anketa konstatoi ndërlidhje të kufizuar mes niveleve të mbështetjes emocionale dhe vetmisë. Ndërlidhje të lehtë me vetminë kanë disa faktorë të tjerë risku: të jetuarit vetëm, niveli i përgjithshëm i lumturisë, kërkimi i mbështetjes për shëndetin mendor, vështirësitë në dëgjim, mungesa e mbështetjes me afeksion, dhe afërsia e marrëdhënieve.
Me vetminë nuk ndërlidhen as disa matje të tjera demografike, duke përfshirë statusin martesor, gjininë, jetesën në zona urbane ose rurale, kënaqshmërinë me situatën financiare, gjendjen e përgjithshme shëndetësore, qasjen në internet dhe përdorimin e tij, ose llojet e aktiviteteve sociale të ndërmarra para ose gjatë pandemisë COVID-19.
Faktorët e riskut ndryshojnë sipas vendit dhe territorit, edhe pse nivelet e vetmisë ishin të ngjashme në të gjashtë vendet dhe territoret e përfshira në anketë.
Raporti i anketës rekomandon miratimin e politikave kombëtare që mbrojnë të drejtat dhe dinjitetin e personave të moshuar, duke u përqendruar tek shëndeti dhe mirëqenia e tyre, si dhe thekson nevojën e programimit, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar, për të ofruar mbështetje të prekshme të targetuar për personat e moshuar.
Kjo mund të përfshijë vizita mjekësore mobile në shtëpi, vullnetarë të komunitetit që ofrojnë mbështetje të përditshme, ose mbështetje mjekësore dhe sociale përmes telefonit ose virtuale.
Zhvillimi i aktiviteteve për grupet e targetuara, në qendra ditore ose objekte të ngjashme për plakje të shëndetshme dhe aktive, mund të jetë një mënyrë efektive për krijimin dhe zgjerimin e rrjeteve sociale për personat e moshuar dhe për sigurimin e mbështetjes së prekshme të bazuar në komunitet