Veseli organizoi pritje me rastin e Ditës së Pavarësisë në Bruksel
Bruksel, 18 shkurt - Me rastin e Ditës së Pavarësisë, mbrëmë në Ambasadën e Kosovës në Bruksel, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka organizuar pritje për korin diplomatik të akredituar në kryeqendrën evropiane.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli tha se ky përvjetor shënon vitin më të rëndësishëm për historinë e re të Kosovës, periudhën pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë kontraktuale me BE-në, nënshkrimin e MSA-së, që vjen para hapit të ardhshëm të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, lëvizjen e qytetarëve tanë pa viza.
Sot, ne e shënojmë përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të ndërtuar mbi një ëndërr, aspiratë dhe punën e njerëzve të vendit tonë, si dhe mbi sakrificën dhe kontributin e të gjithë qytetarëve, të cilët ndërtuan idealin për një shtet të lirë.
Në këtë përvjetor, ne shënojmë krijimin dhe forcimin e miqësisë me të gjithë Juve, që ndihmuat në lindjen e shtetit të ri të Kosovës dhe hapët rrugën e perspektivës së re drejt proceseve të integrimit në BE, theksoi kryetari Veseli, duke falënderuar përfaqësuesit e shteteve mike të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë.
Kreu i Kuvendit tha se me gjithë angazhimin institucional për ta bërë më të mirën për vendin, duhet pranuar se ka edhe disa pengesa, duke përfshirë bllokimin e funksionimit të Kuvendit, por edhe dukuri të tjera negative, që shoqërojnë demokracitë e reja.
Veseli tha se rruga drejt përfundimit të procesit të shtetndërtimit kërkon përgjegjësi, më shumë sakrificë, më shumë pragmatizëm dhe më shumë dashuri për atdheun.
Ne kemi dëshmuar se mund ta ndërtojmë një atdhe për çdo qytetar të Republikës, pa dallim etnie apo feje, një atdhe të shumëllojshmërisë kulturore, ku të gjithë mund të ndjehen zot në shtëpi të vet. Kosova është vend i cili ka për qëllim të funksionojnë në bazë të formulës së unitetit në diversitet, me diversitetin gjuhësor, kulturë dhe fe, njëlloj siç janë konceptet themelore të funksionimit të BE-së dhe NATO-s, tha kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se qëllimi kryesor është që Kosova të bëhet pjesë të pandashme të NATO-s dhe familjes evropiane, si dhe shtet anëtar të OKB-së.