Vazhdojnë protestat në Stamboll
Ankara, 23 qershor - Mijëra banorë të Stambollit përsëri kanë vazhduar protestat e tyre anti-qeveritare.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Reuters e lajmeve e cila njofton se përkundër masave të rrepta të forcave të sigurisë që po zbatohen në Stamboll të Turqisë, qytetarët e këtij qyteti përsëri kanë vazhduar me protestat e tyre në sheshin Taksim ku kanë protestuar kundër qeverisë së kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan.
Forcat policore kanë përdorur gazin lotsjellës dhe ujin me presion për ti shpërndarë protestuesit.
Protestuesit gjithashtu kanë reaguar ndaj ndërhyrjes me dhunë të forcave policore dhe kanë hedhur gurë në drejtim të tyre.
Në kuadër të këtyre zhvillimeve në Turqi, mijëra shtetas turq me qëndrim në Gjermani, kanë organizuar protesta në qytetin Koln të këtij vendi dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrin Erdogan.
Vlen të theksohet se Turqia që nga 31 maji i vitit 2013 është bërë arenë protestave të gjera qytetare të cilat janë zhvilluar në qytete të ndryshme të këtij vendi. Burime të informimit kanë bërë të ditur se gjatë këtyre protestave janë vrarë 5 persona dhe janë plagosur mijëra të tjerë.