Vazhdojnë diskutimet për zbatimin e marrëveshjes Kosovë - Serbi
Bruksel, 26 prill - Sot në Bruksel do të vazhdojnë diskutimet e ekipeve të Prishtinës dhe Beogradit për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Delegacionet u takuan dje për afro 10 orë për të diskutuar parimet dhe detajet rreth zbatimit të paktit që lidhën dy kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq për përgjegjësitë që do te kenë serbët e veriut të Kosovës.
Në agjendë të diskutimeve është afatizimi i përmbushjes së 15 pikave të pajtuara në marrëveshje, dhe dhënia e prioriteteve të punës në terren.
Sot ndërkaq, në Beograd, siç njoftojnë mediet në Beograd, pritet të mbahet një debat në Kuvendin e Serbisë pasi në rend dite deputetët kanë marrëveshjen Serbi-Kosovë, si dhe të gjitha aktet e tjera të nxjerra gjatë dialogut politik e teknik në Bruksel mes dy vendeve.
Anëtarja e ekipit serb, zëvendëskryeministrja Suzana Grubjesic, ka thënë se ekipet do të flasin për rendin e realizimit të pikave dhe afatet për zbatimin e tyre.
Planin e zbatimit të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë do ta nënshkruajnë dy kryeministrat së bashku me marrëveshjen për normalizimin e raporteve, ndërsa nënshkrimin në këto dy dokumente do ta vë edhe ndërmjetësja e dialogut Prishtinë-Beograd, baronesha Catherine Ashton.