11 Janar 2025

Vazhdojnë bisedimet Thaçi-Daçiq

Bruksel, 20 shkurt - Kryeministra i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, pritet të vazhdojnë sot bisedimet e filluara dje me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.  

Bisedimet, të cilat ndërmjetësohen nga shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Për rreth tre orë, dy kryeministrat kanë debatuar çështjen e strukturave të mbështetura nga Beogradi në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.
 
Nuk është thënë nëse ka pasur ndonjë përafrim qëndrimesh ndërmjet palëve, por gjatë mbrëmjes kanë vazhduar këshillimet e të gjitha palëve, përfshirë edhe angazhimin e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Philip Reeker i cili po qëndron në Bruksel në mbështetje të procesit të bisedimeve.

Para takimit të së martës, kryeministri Thaçi tha se qëllim i këtyre bisedimeve nuk është që Kosova dhe Serbia të mundin njëra-tjetrën, por të lëvizin përpara, drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
 
Kryeministri Thaçi tha se “në këto bisedime të paraqesë qëndrimin e Prishtinës për shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës në veri dhe shpërbërjen e strukturave të paligjshme të Serbisë në zonë”.
 
Beogradi ndërkaq ka ritheksuar synimin për një shkallë të autonomisë për komunat me shumicë serbe në veri. Kryeministri serb Ivica Dacic ka shprehur gatishmërinë që të diskutohet çështja e strukturave paralele por jo shuarja e tyre, ndërsa presidenti serb Tomislav Nikoliç ka deklaruar se strukturat aktuale mund të shuhen për të krijuar hapësirë që të ngrihen strukturat e reja që do të drejtoheshin nga serbet.
 
Përfaqësuesit e serbëve në veri thonë ndërkaq se nuk do të lejojnë shuarjen e institucioneve serbe në zonë dhe kanë përsëritur kërkesën për anulimin marrëveshjeve të arritura në bisedimet Kosovës Serbi, përderisa të mos flitet për çështjen e statusit të Kosovës, që sipas tyre mbetet ende i pazgjidhur.
 
Dita e sotme, mund të sjellë ndonjë marrëveshje fillestare, ndërsa ndërmjetësuesja Ashton synon që deri në gjysmën e muajit prill të sigurojë një marrëveshje kuadër për veriun e Kosovës.
 
Më 22 prill ajo duhet të raportojë para këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian për rezultatet e bisedimeve, nga përfundimi i të cilave varet rrugëtimi i të dyja vendeve drejt strukturave evropiane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)