Ushtria ruse mbetet edhe pa aeroplanmbajtësen e vetme
Moskë, 19 shkurt - Ushtria ruse deri me tani e kishte vetëm një aeroplan bartëse, të quajtur sipas admiralit të BRSS-së, aeroplanmbajtësja “Admirali Kuznetsov”.
Për shkak të problemeve që ishin shfaqur në të gjatë misionit të saj luftarak në Mesdhe, në kuadër të sulmeve ajrore në Siri, aeroplanmbajtësja e vetme ruse që nga prilli i vitit 2018 ishte në remont. Gjatë kësaj kohe, në aeroplanmbajtëse kishin ndodhur dy avari.
Njëra në tetor të vitit 2018, ku ishte shkaktuar një vrimë e madhe e përmasave katër me pesë metra, ndërsa avaria e fundit kishte ndodhur me 12 Dhjetor 2019, ku si pasojë e saldimit kishte shpërthyer një zjarr, të cilin nuk kishin arritur ta shuanin për më shumë se 24 orë. Gjatë zjarrit kishin humbur jetën dy persona, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin lënduar.
Organet ushtarake ruse në fillim kishin tentuar që ta mbajnë të fshehtë lajmin për zjarrin në aeroplan bartëse, por tymi dhe flakët që kishin zgjatur për më shumë se 24 orë, e kishin bërë të pamundur fshehjen e këtij “sekreti”.
Se dëmtimet në aeroplanmbajtëse janë të mëdha e tregon më së miri shuma financiare e sanimit të dëmeve të shkaktuar nga zjarri, të cilat llogariten të kalojnë 1.5 miliardë dollarë.
Megjithatë, duke e ditur se aeroplanmbajtësja është më shumë se 30 vite e vjetër dhe ka pasur edhe problem tjera teknike, thuhet se rregullimi i saj mund të jetë i barabartë me ndërtimin e një aeroplanmbajtëse të re.