Uragani Florence mund të shkaktojë përmbytje katastrofike
Washington, 18 shtator - Uragani Florence është dobësuar, por vazhdon të veprojë mbi pjesën qendrore pranë brigjeve të Atlantikut, duke përkeqësuar kushtet në zonat e përmbytura.
Deri tani ka njoftime për 14 të vdekur nga stuhia ndërsa shumë qytete dhe autostrada vazhdojnë të jenë të pushtuara nga uji.
Me shumë se 800 shtëpi nuk kanë energji elektrike. Zyrtarët paralajmërojnë se situata mund të keqësohet edhe më tej ndërsa reshjet e shiut vazhdojnë të shkaktojnë përmbytje.
Vrulli i uraganit Florence ka rënë, duke u klasifikuar tani nga zyrtarët si një stuhi e presionit të ulët e shoqëruar me reshje që sjellin edhe më shumë rrezik.
Reshjet në Karolinën e Veriut shtrihen nga pjesa qendrore deri në malet e atij shteti. Guvernatori Roy Cooper tha se janë shpëtuar rreth 900 njerëz nga përmbytjet ndësa kërkoi bashkëpunim nga qytetarët.
“Kini kujdes nga përmbytjet e papritura. Ndiqni me kujdes njoftimet për motin dhe qëndroni gati për të shkuar në zona të sigurta nëse kërkohet evakuimi. Kjo po ndodh aktualisht me disa nga lumenjtë tanë. Mos i jepni makinës në rrugët e përmbytura. Vetëm pak centimetra ujë dhe makina mund të rrëshqasë.”
Banorët e qytetit bregdetar Nju Bern janë mes të goditurve më rëndë nga përmbytjet. Shumë janë evakuuar ndërsa të tjerë kanë qendruar aty si Leigh Bell.
“Kjo është çatia që ka mbetur nga garazhi një katësh. Nuk e di ku ka shkuar pjesa tjetër. Aty kanë qënë themelet.”
Ndërsa stuhia zhduku një pjesë të garazhit, ajo solli aty një varkë të panjohur.
“Nuk e di nga erdhi varka, por duhet të ketë qënë ankoruar diku tjetër dhe stuhia e solli këtu”, tregon banorja Leigh Bell.
Joe Simmons e përjetoi stuhinë ndërsa po vizitonte nënën e tij në Xhaksonville të Karolinë së Veriut.
“Mbrëmja e kaluar ishte vërtet e tmerrshme. Sikur dëgjoja drurët dhe dërrasat që coptoheshin dhe gozhdët e ndryshkura që shqyheshin. Kishte rrufe të shumta dhe bubullima shurdhuese.”
Mbrëmë, stuhia ishte përqendruar rreth 50 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Kolumbia të Karolinës së Veriut, që është 250 kilometra larg vijës bregdetare. Gjatë ditëve në vazhdim priten rreth 25 centrimetra reshje në pjesën qendrore dhe perëndimore të atij shteti. Zyrtarët kanë paralajmëruar për përmbytje katastrofike dhe rrëshqitje dheu. Stuhia më
pas pritet të kalojë në luginën e lumit Ohajo drejt shteteve verilindore amerikane.