Ukraina me akuza të reja ndaj Rusisë
Këto akuza janë ngritur në prag të takimit të liderëve të BE-së, të cilët do të diskutojnë mbi mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.
Të mërkurën në Bruksel do të vlerësohet situata aktuale në lindje të Ukrainës dhe nëse do të shihet e nevojshme do të merren masa të reja ndaj Rusisë, tha Komisioneri i BE-së Stefan Fuele.
Që nga fillimi i operacionit anti-terror i ushtrisë ukrainase në mes të muajit Prill janë vrarë të paktën 258 ushtarë, 922 janë plagosur, ndërsa 45 të tjerë janë zënë robër, tha zëdhënësi i ushtrisë, Andriy Lysenko. Gjithashtu, si pasojë e konfliktit qindra civilë dhe separatistë pro-rusë kanë vdekur.
Më herët gjatë së martës, Shtetet e Bashkuara publikuan një raport ku tregohej qartazi se qëllimi i Shteteve të Bashkuara gjatë krizës në Ukrainë ka qenë për të mbështetur një Ukrainë demokratike që do të jetë e qëndrueshme, e unifikuar, e sigurt politikisht dhe ekonomikisht, si edhe në gjendje të përcaktojë vetë të ardhmen e saj.
Për këtë arsye, qeveria amerikane mbështet dialogun e vazhdueshëm të ministrave të Jashtëm të Ukrainës, Gjermanisë, Francës dhe Rusisë, për të bashkëpunuar drejt një armëpushimi të qëndrueshëm nga të gjitha palët në rajonet Luhanskut dhe Donjeckut, në lindje të vendit, që mendohet se do te jetë hapi i parë drejt paqes së qëndrueshme.