Ukraina kryesuese e OSBE-së në 2013
Kiev, 1 janar - Në 2013 Ukraina merr drejtimin e kryesisë së OSBE-së dhe synon të forcojë të drejtat e njeriut. Por ky vend është vetë në fokusin e kritikave për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Walburga Habsburg Douglas ishte e indinjuar. \"Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut\", u shpreh koordinatorja e posaçme e OSBE-së më 30 tetor 2012, përpara një spitali në Sharkiv në Lindje të Ukrainës.
Autoritetet ia ndalonin asaj takimin me ish-kryeministren Julia Timoschenko, e cila ishte e shtruar në këtë spital. Udhëheqësja e opozitës u dënua në vitin 2011, në një proces gjyqësor të kritikuar në nivel ndërkombëtar.
Për këtë arsye Timoschenko nuk mundi të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare më 28 tetor. Ky ishte edhe njëri nga shkaqet përse OSBE-ja këto zgjedhje i cilësoi si jo korrekte dhe si \"kthim prapa\".
Në një sfond të tillë në 2013 Ukraina merr drejtimin e kryesisë së OSBE-së. Akuzat për drejtësi të motivuar politikisht dhe dyshimet ndaj zgjedhjeve parlamentare janë premisat më të këqija për një kryesi ukrainase në OSBE, shkruante në një nga numrat e dhjetorit gazeta e përjavshme e Kievit \"Dserkalo tyschnja\".
Këtë mendim kanë edhe ekspertët gjermanë. \"Padyshim që kryesia ukrainase e OSBE-së është e rënduar në mënyrë implicite\" thotë në intervsitë për DW Wolfgang Zellner, drejtor i Qendrës për Studimet e OSBE-së (CORE) në Universitetin e Hamburgut.
Ngjashëm shprehet edhe Susan Stewart nga fondacioni berlinez \"Shkenca dhe Politika\". Imazhi i Ukrainës vitet e fundit ka vuajtur prej shkeljeve të të drejtave të njeriut, por edhe për shkak të hapave prapa sa i përket demokracisë, thotë ekspertja. \"Ndaj unë besoj, se do të jetë e vështirë për Ukrainën të luajë një rol të fuqishëm drejtues\", thekson Stewart.
Ukraina është ndërkohë e dyta ish-republikë sovjetike që kryeson OSBE-në. Në 2010 kryesimin e organizatës ndërkombëtare e pati Kazakistani. Ky vend aziatiko-qendror përgatiti në një farë mënyre rrugën për drejtimin e kryesisë nga Ukraina.
Ndërkohë duket qartë se OSBE-ja ka nevojë për një udhëheqje të fortë. Sepse organizatës së themeluar në vitet 1970 si Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE) i duhet të përballet me zbehjen e rolit të saj.
OSBE-ja u krijua në kohën e Luftës së Ftohtë si forum dialogu mes blloqeve të armiqësuara në Perëndim dhe në Lindje. Sot organizata me seli në Vjenë ka 57 vende anëtare nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut.
Ajo lufton terrorizmin, përpiqet për zgjidhjen e konflikteve, ose ndihmon në mbrojtjen e mjedisit. Respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore OSBE-ja i konsideron si \"komponent kyç\" të konceptit të saj të sigurisë.