Ukraina e denoncon Rusinë si “shtet terrorist” në Gjykatën e OKB-së
Kiev, 7 qershor - Ukraina e quajti Rusinë një shtet terrorist të martën në gjykatën më të lartë të OKB-së, ndërsa filloi procesi mbi mbështetjen e Moskës për separatistët pro-rusë, të fajësuar për rrëzimin e fluturimit MH17 të “Malaysian Airlines” më 2014.
Kjo ishte hera e parë që avokatët për Ukrainën dhe Rusinë ishin të pranishëm në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e njohur gjithashtu si Gjykata Botërore, që kur Moska nisi sulmin në Ukrainë më 24 shkurt të vitit 2022. Në këtë proces janë dërguar ekipe ligjore me dhjetëra përfaqësues nga të dyja palët.
Një panel prej 16 gjyqtarësh në GJND filloi të dëgjojë pretendimin e Ukrainës se Moska shkeli një traktat të OKB-së kundër terrorizmit duke pajisur dhe financuar forcat pro-ruse që rrëzuan avionin, gjë që shkaktoi vdekjen e 298 pasagjerëve dhe ekuipazhit.
Ukraina i ka kërkuar gjithashtu gjykatës me seli në Hagë të urdhërojë Rusinë të ndalojë diskriminimin ndaj grupit etnik tatar në Krime, gadishulli ukrainas i pushtuar nga Rusia nga viti 2014.
Në fjalimin e tij, ambasadori ukrainas Anton Korynevych komentoi shkatërrimin e digës hidroelektrike ‘Nova Kakhovka’ që u bë të martën në territorin e kontrolluar nga Rusia, në rajonin e Khersonit, në jug të Ukrainës. Kievi thotë se Rusia hodhi në erë digën; Kremlini ka fajësuar atë që thotë se ishte sabotim ukrainas.
“Rusia nuk mund të na mposhtë në fushën e betejës, kështu që ajo synon infrastrukturën civile në përpjekje për të na nënshtruar”, tha zoti Korynevych gjatë seancës dëgjimore, duke i përshkruar veprimet e Rusisë si “veprime të një shteti terrorist”.
“Sot Rusia hodhi në erë një digë të madhe ..., duke shkaktuar evakuime të konsiderueshme civile, dëme ekologjike dhe duke kërcënuar sigurinë e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias”.
Rusia do të ketë mundësi për t'iu përgjigjur akuzave të Ukrainës të enjten. Moska është përpjekur ta hedh poshtë procesin, duke argumentuar se GJND nuk ka juridiksion.
RUSIA DËSHIRON TË “ZHDUKË UKRAINASIT”
Avioni me numër fluturimi MH17 u rrëzua nga një raketë e prodhuar nga Rusia më 17 korrik 2014 ndërsa përshkonte Ukrainën lindore, të kontrolluar nga separatistët pro-rusë.
Nëntorin e kaluar, një gjykatë holandeze dënoi dy rusë dhe një separatist ukrainas në mungesë për rolin e tyre dhe i dënoi me burgim të përjetshëm. Procesi zbuloi se Rusia kishte “kontroll të përgjithshëm” mbi forcat separatiste.
Rusia bojkotoi seancat në gjykatë në mars të vitit 2022 që trajtonin kërkesën e Ukrainës në një çështje tjetër të GJND-së në të cilën Kievi po kundërshton një pretendim rus për gjenocid kundër personave pro-rusë në Ukrainë. Kievi e quan këtë pretendim një krijim preteksti për agresionin rus.
Ukraina gjithashtu argumentoi se Rusia po diskriminonte ukrainasit dhe tatarët etnikë në Krime ndërsa përpiqet të zhdukë kulturën e tyre.
"(Rusia) po zbaton një projekt afatgjatë për të fshirë të drejtat dhe kulturën që e bëjnë Ukrainën një komb krenar dhe shumë-etnik”, tha Harold Koh, avokat i angazhuar nga qeveria ukrainase.
Rusia mohon abuzimet sistematike të të drejtave të njeriut në territorin ukrainas që ajo e ka nën kontroll.
Vendimet e GJND-së, gjykata më e lartë e OKB-së për mosmarrëveshjet midis shteteve, janë të detyrueshme, por nuk kanë mekanizma zbatues.
Presidenti rus Vladimir Putin është gjithashtu subjekt i një urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, gjithashtu në Hagë, me akuza për krime lufte për dëbimet e detyruara të fëmijëve ukrainas. Kremlini e mohon këtë akuzë.