U mbajt Java e Kulturës së Kosovës në Austri
Vjenë , 10 tetor - Në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë, përgjatë javës që shkoi, u organizua Java e Kulturës së Kosovës në Austri. Në kuadër të Javës së Kulturës, janë organizuar një varg manifestimesh kulturore, të cilat janë përcjell nga një numër i konsiderueshëm diplomatësh, artistësh austriakë, miq të Kosovës dhe bashkatdhetarë.
Të hënën, është bërë hapja solemne e Javës së Kulturës, kurse aktiviteti i parë ishte hapja e ekspozitës se piktorit, poetit dhe krijuesit kosovar, Sylë Mujaj.
Në fjalën e hapjes, Ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiqmari, ka thënë se qëllimi i kësaj Jave është përcjellja për opinionin publik austriak dhe rrethet e diplomatëve të vendeve tjera vlerat kulturore të Kosovës.
Opinioni publik këtu e njeh Kosovën kryesisht nga zhvillimet politike, kurse ajo që ne dëshirojmë ti ofrojmë atij është ana e bukur e artit, letërsisë dhe muzikës së Kosovës, tha Kiqmari.
Lidhur me ekspozitën e piktorit Mujaj, Ambasadori i Kosovës në Austri ka thënë se ai i përket gjeneratës së studentëve kosovarë të vitit 1981, të cilët nuk u pajtuan me njëmendësinë e regjimit serb dhe i rezistuan censurimit të fjalës së lirë.
Veprat e tij artistike simbolizojnë vuajtjen nën robëri dhe dëshirën e flaktë për liri dhe dinjitet njerëzor, tha Kiqmari.
Në këtë manifestim morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Nagip Skënderi, Zëvendës-Konsulli i Kosovës në Cyrih, Salih Sefa, përfaqësues të Qeverisë së Vjenës si dhe një numër i madh i intelektualëve dhe aktivistëve tanë në diasporë.
Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Nagip Skënderi ka deklaruar se miti që ka ekzistuar më parë po mënjanohet, pasi që figurat si z. Sylë Muja e dëshmojnë se Kosova nuk eksporton vetëm fuqi punëtore, por edhe piktorë e njerëz të artit, kulturës, shkencës e sportit. Skënderi ka përgëzuar Muja, duke konfirmuar mbështetjen e MPJ-së për aktivitete të tilla.
Ndërsa, piktori i njohur zviceran Pierre du Pasquier ka thënë se e ka njohur z. Sylë Muja në Lugano dhe se ai është një artist i shkëlqyeshëm. Vlera e tij artistike është shumë e madhe, tha du Pasquier.
Mbrëmja letrare me Rexhep Qosjen ka mbledhur një numër të konsiderueshëm intelektualësh nga Kosova dhe Austria, në mesin e të cilëve edhe Ambasadori Albert Rohan. Mysafir nderi dhe panelistë ishin edhe Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Austrisë, Sidonia Binder si dhe kritiku letrar nga Kosova, Agim Vinca.
Në kumtesën e tij kritiku Agim Vinca, ndër të tjera nënvizoi se Akademik Rexhep Qosja është një studiues serioz i letërsisë që shkroi vepra emblematike, duke e vlerësuar lart rolin e tij në etablimin e shkencës albanologjike në Kosovë.
Studenti dhe poeti i ri Alban Beqiraj lexoi para të pranishmëve pjesë të zgjedhura nga romani i Rexhep Qosjes Vdekja më vjen prej syve të tille, vepër kjo e përkthyer edhe në gjuhën gjermane.
Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Austrisë, Sidonia Binder, përshkroi Rexhep Qosjen si një ndër romancierët më të mirë të Kosovës.
Ajo tha se bashkëpunimi me Kosovën në fushën e letërsisë në të ardhmen do të jetë edhe më intensiv, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës për të vizituar Kosovën.
Në fjalën e tij, Akademik Rexhep Qosja foli për zhvillimin e letërsisë shqipe, duke potencuar faktin se letërsia shqipe ka pasur një zhvillim atipik. \"Rilindja Kombëtare ka përgatitur terrenin për shpalljen e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.
Në anën tjetër letërsia shqipe mes dy luftërave botërore si dhe ajo e viteve të 50-ta e deri më sot simbolizohet me përpjekjet e autorëve shqiptarë për të sjellë frymën moderne në letërsi, të njëjtë si ajo që zhvillohej në pjesët tjera të botës.
Duke ju referuar të sotmes, Akademik Rexhep Qosja përmbylli adresimin e tij me fjalët Kjo është kohë që nxit krijimin e veprave të mëdha.
Të martën, në një ndër pallatet me eminente në Vjenë, është mbajtur një Koncert i Muzikës Klasike me autorë shqiptarë dhe të huaj, në të cilin performuan pianistet e njohura kosovare Ardita Statovci dhe Lule Elezi, ndërsa me këngë nga opusi i gjerë i kompozitorëve të huaj dhe shqiptarë u paraqitën mexosopranoja Sanije Matoshi dhe tenori Faik Hondozi.
Koncerti u përcoll nga shumë mysafirë, në mesin e të cilëve edhe diplomatë të huaj, si Ambasadori i Kolumbisë, Ekuadorit, Shqipërisë, Estonisë, zv. Ambasadori i SHBA-ve si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të Sllovenisë, Turqisë, Republikës Dominikane, Kroacisë, Maqedonisë etj.
Të enjten, është shpallur Ditë e Dyerve të Hapura të Ambasadës. Gjatë saj, shtetas të Kosovës dhe të huaj, arsimtarë dhe nxënës të shkollës shqipe si dhe një numër studentësh kanë vizituar ambientet e punës në Ambasadës dhe kanë zhvilluar biseda të ndryshme me personelin e saj. Ata janë pritur në takime të veçanta edhe nga Ambasadori Kiqmari.
Java e Kulturës së Kosovës në Austri u mbyll të dielën me një koncert të muzikës popullore, i përgatitur nga Shkolla e Vallëzimit Shqip Shota në Zvicër dhe Shoqatat 12 Qershori e 17 Shkurti nga Austria. Koncerti është përcjellë nga një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish.
Në fjalën përmbyllëse, Ambasadori Kiqmari e ka vlerësuar të suksesshme Javën e Kulturës së Kosovës në Austri.
Për një javë rresht artistët, shkrimtarët, studiuesit, instrumentistët dhe valltarët tanë kanë pasqyruar anën më të bukur të Kosovës - anën kulturore dhe artistike të saj, tha Kiqmari, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e Javës së Kulturës.