TV maqedonas SITEL fyen shqiptarët
Shkup, 13 mars - Në Maqedoni edhe televizionet fyejnë shqiptarët. Televizioni SITEL në Shkup. Në lajmet e mesditës të datës 11 mars 2010, prezantuesi i lajmeve u shpreh Lesi kthehet në shtëpi, duke iu referuar qytetarëve shqiptarë që po ktheheshin nga Belgjika.
Për këtë arsye, Lëvizja Qytetare ZGJOHU! Ka shprehur indinjatë të thellë në lidhje me ofendimin e rëndë të këtij televizioni ndaj qytetarëve të Likovës dhe Kumanovës. ZGJOHU! kërkon nga këshilli për radiodifuzion i Republikës së Maqedonisë që të ndërmerr masa urgjente për shprehjen e qartë dhe të qëllimshme të urrejtjes në gjuhën e përdorur nga ky televizion dhe disa prej gazetarëve që punojnë aty.
"Këshilli për Radiodifuzion duhet tia marrë licencën këtij televizion, pasi që ai nxit urrejtje ndëretnike dhe ndërfetare, si dhe i tensionon marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në vend, thuhet në reagimin e ZGJOHU. Gjithashtu, kjo lëvizje kërkon nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë të dënojë ashpër këto shprehje ofenduese dhe këtë tendencë të vazhdueshme të TV SITEL për nxitje të urrejtjes midis dy komuniteteve shtetformuese dhe ti ftojë në përgjegjësi gazetarët skandalozë e redaktorët përgjegjës, thuhet në këtë reagim.
Lëvizja ZGJOHU!, po ashtu, apelon te të gjithë shqiptarët dhe komunitetet tjera që ta ngrenë zërin e protestës kundër politikës diskriminuese të televizionit SITEL. ZGJOHU! fton shoqërinë civile shqiptare, biznesin shqiptar dhe të gjithë partitë politike dhe funksionarë shqiptarë që plotësisht të bojkotojnë TV SITEL, në rast që ky televizion nuk i kërkon falje qytetarëve të kthyer nga Belgjika dhe kombit shqiptar.