13 Janar 2025

Turqia prangos bosin e aeroportit të Prishtinës

Ankara, 28 dhjetor - Skandali i korrupsionit që po gjunjëzon Turqinë, dje ka çuar pas hekurave rreth 40 biznesmenë, mes tyre edhe emra të njohur thuajse në të gjithë botën.

E ndërsa kryeministri i vendit Rexhep Tajip Erdogan vijon të mbahet fort pas presionit që ushtron ndaj policisë dhe prokurorisë, i biri i tij mësohet se ka lënë Turqinë dy ditë më parë, duke u strehuar në Gjeorgji.

Emri i tij ka qenë i listuar mes një mori emrash të bijve të funksionarëve të lartë të qeverisë për tu arrestuar në lidhje me skandalin e korrupsionit. Ditën e djeshme, mediat turke kanë bërë me dije se mes të arrestuarve janë edhe dy biznesmenë të cilët janë të njohur në rrethet mbarë shqiptare.

Në mesin biznesmenëve të arrestuar, me akuza jo vetëm për korrupsion, janë drejtori i kompanisë Limak&Calik, Nihat Ozdemir si dhe biznesmeni, që dikur u listua si financues i organizatës terroriste, përgjegjëse për sulmet e 11 shtatorit në Manhatan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yasin Al Qadi.

E ndërsa Ozdemir doli në pah për shqiptarët, muaj më parë pasi kompania e tij ka me koncesion aeroportin e Prishtinës, Al Qadi është hetuar e gjykuar prej shumë vitesh nga të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, ku në fokus ka qenë urdhër-blloki gjithë botën. Biznesmeni saudit e fitoi betejën me gjykatat tona, ndërsa vendimi i fundit për të është dhënë rreth një vit më parë në Gjykatën e Lartë.

Ndër biznesmenët e arrestuar nga policia turke bie në sy se ndër emrat më të përfolur në të gjithë grupin e të arrestuarve është pikërisht njeriu që njihet si bosi i “Limak”, kompanisë turke që ka me koncesion Aeroportin “Adem Jashari”.

Sipas të përditshmes turke “Hurriyet” mësohet se aktakuza që ka çuar pas hekurave Nihat Ozdemir është; “krijim i një organizate kriminale”, mitëmarrje, mashtrim, falsifikim të dokumenteve zyrtare, kërcënime dhe përvetësimin e aseteve të fituara me aktivitete kriminale.

Nadir Ozdemir është një ndër biznesmenët që njihet për afrimitetin me kryeministrin e vendit, ndërsa vetëm para pak ditësh bëhet me dije se ka arritur të fitojë edhe tenderin për të dnërtuar aeroportin e tretë të Stambollit.

Biznesmeni i arrestuar u pa para tre muajsh në përurimin e terminalit të Prishtinës bashkë me kryeministrat e tre vendeve, respektivisht Erdogan, Hashim Thaçi dhe Edi Rama.

Mirëpo, ndërsa arrestimi i tij është pritur me shumë bujë, mediat kosovare kanë botuar ditën e djeshme një deklaratë të kompanisë Limak, e cila përgënjeshtron jo vetëm akuzat ndaj bosit të tyre por edhe arrestimin e tij.

Referuar të përditshmeve kosovare, ditën e djeshme kompania “Limak Kosovo” ka reaguar ndaj informacionit të publikuar në media, lidhur me arrestimin e drejtorit të Kompanisë Limak&Calik, Nihat Özdemir, duke e cilësuar lajmin si një spekulim.

“Në emër të ‘Limak Kosovo’ shprehim shqetësimet tona në lidhje me spekulimet e fundit për Drejtorin e Bordit të Drejtorëve të kompanisë LIMAK, Nihat Ozdemir, thuhet në reagimin e lëshuar nga Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit të Prishtinës: “Duam t`iu njoftojmë se informacioni i spekuluar nuk paraqet realitetin sepse nuk është ngritur asnjë akuzë kundër asnjë anëtari të kompanisë LIMAK”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)