24 Dhjetor 2024

Turqia mbështet fuqishme dialogun mes Kosovës e Serbisë

Prishtinë, 14 mars - Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Stamboll, ku po merr pjesë në Samitin Botëror të Liderëve të Ndryshimeve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Në takimin mes dy kryeministrave është diskutuar për aktualitetin politik dhe ekonomik në rajon, me theks të veçantë për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në të gjitha aspektet, që janë në interes të të dyja vendeve.

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka përgëzuar kryeministrin Hashim Thaçi për krijimin e institucioneve të reja legjitime dhe kredibile të Kosovës dhe ka premtuar angazhimin e Turqisë për të siguruar njohje të reja për shtetin e Kosovës.

Në takim, kryeministri Thaçi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që i ka dhënë Turqia Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe atë të zhvillimit dhe integrimit, duke potencuar në veçanti mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në aspektin e njohjeve për shtetin e Kosoëvs dhe investimet turke në Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi në takim ka njohur kryeministrin Erdogan me angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së  Serbisë, si dy shtete të pavarura, si dhe për përcaktimin e fuqishëm për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

Edhe kryeministri turk Erdogan ka shprehur mbështetjen e tij të fuqishme për dialogun teknik mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ka shprehur qëndrimin se kjo është rruga e të dyja vendeve për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Duke folur për përkushtimet e kabinetit të ri qeveritar, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mes tjerash ka theksuar se “mandati i kabinetit të ri qeveritar është mandati i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, mandati i integrimit dhe mbi të gjitha mandati i forcimit të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit” dhe ka theksuar se “Republika e Kosovës mirëpret përfshirjen e Turqisë në aktivitetet e forcimit të bashkëpunimit rajonal në Ballkan dhe e konsideron atë një partner strategjik të Kosovës”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po sot ka zhvilluar një takim miqësor edhe me Bakir Izetbegoviq, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës.

Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politikë në rajon, për domosdonë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në interes të perspektivës evropiane të rajonit dhe për çështje tjera.

Gjatë takimit mes kryeministrit Thaçi dhe Izetbegoviq u shtrua nevoja e tejkalimit të barrierave, të cilat janë duke penguar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në mesë të dy vendeve. Republika e Kosovës dhe Bosnja e Hercegovina kanë potenciale për kultivimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe kultivojnë tradita të bashkëpunimit, është vlerësuar në takim.

Kryeministri Thaçi ritheksoi vizionin dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për  thellimin e bashkëpunimit rajonal mes shteteve të rajonit, në interes të paqes, stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit të plotë të rajonit në strukturat euro-atlantike.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)