Turqia do të vazhdojë të promovojë Kosovën në botë
Ankara, 29 dhjetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar sot vizitën zyrtare në Turqi, duke vënë kurorë lulesh në Mauzoleun e Ataturkut në Ankara ku edhe u nënshkrua në Librin e Kujtimeve.
Kreu i vendit i ka filluar vizitat zyrtare me takime të ndara me Kryetarin e Parlamentit turk, İsmail Kahraman, dhe me kryeministrin Binali Yıldırım.
Me kryeparlamentarin Kahraman, presidenti Thaçi ka biseduar për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërparlamentar.
Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse që Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur Kosovën, që në ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Kryetari i Parlamentit të Turqisë, İsmail Kahraman, ka thënë se Turqia është dhe do të mbetet mike e Kosovës dhe shtoi se të dy vendet duhet të rrisin bashkëpunimin parlamentar.
Në fund të vizitës në Parlamentin e Republikës së Turqisë, presidenti Thaçi vendosi lule në pjesën e parlamentit të goditur nga predhat në tentim grusht-shtetin të datës 15 korrik 2016.
Në takimim me kryeministrin Binali Yıldırım, presidenti Thaçi ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Vlerësoj partneritetin strategjik mes Kosovës dhe të Turqisë, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërkaq, kryeministri Yıldırım tha se Turqia do të vazhdojë të promovojë Kosovën në botë dhe e siguroi presidentin Thaçi se do të punojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat.
Do të vazhdojmë të kërkojmë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, theksoi kryeministri Yıldırım.
Presidenti Thaçi shprehu falënderim për përkrahjen e vazhdueshme dhe ftoi që bashkëpunimi mes dy shteteve të intensifikohet, veçanërisht në sektorin e ekonomisë.
Investitorët nga Turqia janë ndër më të rëndësishmit, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit po ashtu theksoi se të dy vendet, Kosova dhe Turqia, ballafaqohen me kërcënimin e radikalizmit dhe terrorizmit dhe tha se mekanizmat e sigurisë të dy vendeve kanë bashkëpunim të shkëlqyer.
Prandaj, çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë, përfundoi Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.