Turqia do të jetë lobuese e denjë e njohjes së shtetit të Kosovës
Stamboll, 27 prill - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i cili në krye të një delegacioni parlamentar po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, u takua sot me kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i shoqëruar nga nënkryetari i Kuvendit: Enis Kervan dhe nga deputetët Nait Hasani dhe Alma Lama.
Kryetari Krasniqi në fillim të takimit i bëri një vështrim të gjerë zhvillimeve aktuale në Kosovë, sidomos të arriturave që ka bërë Kosova pas shpalljes së pavarësisë.
Në vijim kryekuvendari Krasniqi foli për punën që bëhet në fushën e legjislacionit sipas standardeve evropiane, si dhe për ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë.
Ai foli edhe për hapat që po bën Kosova në aktivitetet ndërkombëtare, si fryt i të cilave është njohja e Kosovës nga ana e 90 shteteve nga bota.
Kreu i Kuvendit i bëri një vështrim edhe çështjes së veriut, ku grupe kriminale serbe me veprimet e tyre, reflektojnë negativisht në situatën në këtë pjesë të vendit.
Kryeministri i Turqisë, Erdogan, në fjalën e tij theksoi se Turqia do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në të gjithë lëmenjtë.
Në këtë takim një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Erdogan, në këtë aspekt theksoi se është i nevojshëm një angazhim edhe më i madh i afaristëve nga Turqia për të investuar në Kosovë, si një parakusht thelbësor për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës.
Po kështu, kryeministri turk foli edhe për interesimin e Turqisë për të investuar edhe në lëmin e sistemit arsimor në Kosovë.
Të dy bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se Kosova stabile është në interes të rajonit. Turqia, theksoi kryeministri Erdogan, do të jetë lobuese e denjë në aspektin e ndikimit te shtetet e ndryshme të botës që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Basshkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mike.
Me këtë takim delegacioni parlamentar i Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përfundoi takimet zyrtare me krerët më të lartë të Turqisë.