Turk premton përkrahjen e Sllovenisë për Kosovën
Prishtinë, 11 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në vendin tonë, Jozef Hlep, i cili ia dorëzoi letrën e urimit të Presidentit të Sllovenisë, Danilo Turk për Presidentin Pacolli.
Në takim, Presidenti Pacolli dhe ambasadori Hlep theksuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë për Kosovën, e sidomos bashkëpunimin shumë të mirë në fushën e ekonomisë, ku Sllovenia është një nga investitorët kryesorë të huaj në vendin tonë.
Më poshtë po e japim letrën e plotë të urimit të Presidentit Danilo Turk për Presidentin Behgjet Pacolli:
Shkëlqesi,
Më lejoni që, në emër të Republikës së Sllovenisë dhe në emrin tim, tju përcjell urimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Suaj si President i Republikës së Kosovës.
Republika e Sllovenisë dhe Republika e Kosovës kanë arritur rezultate të shkëlqyera si dy shtete mike, dhe kjo sigurisht paraqet një bazë të shëndoshë për bashkëpunim në të ardhmen e afërt. Republika e Sllovenisë, padyshim, do vazhdojë ta përkrahë Kosovën në përpjekjen e saj për tu bërë një vend demokratik me perspektivë euroatlantike. Unë jam plotësisht i bindur që dialogu ynë do të kontribuojë në marrëdhëniet pozitive mes dy vendeve tona.
I nderuari, Z. Pacolli, Ju uroj suksese në kryerjen e detyrave të reja.
Pranon, Shkëlqesi, urimet më të sinqerta dhe ndjenjën e konsideratës sime më të lartë!