Turisti humbet mes shkretëtirës
Melburn,8 mars - Kishte humbur në një zonë të pabanuar në Australi, por arriti që të mbijetojë për dy javë duke ngrënë miza. Protagonist i kësaj ngjarje është Daniel Dudzisz, 36 vjeç, i cili ishte zhdukur në muajin shkurt ndërsa po ecte në këmbë në Outback, zonë shkretëtire, mes fshatrave Windorah dhe Jundah.
Por fatmirësisht i riu u gjet të enjten nga një motoçiklist, të cilit i kishte treguar historinë e tij. 36 vjeçari gjerman deklaroi se kishte ngelur i bllokuar në zonë prej shirave të dendur dhe nuk gjente rrugën e kthimit.
Nuk kishte ushqime me vete kështu që kishte mbijetuar duke ngrënë mizat e pranishme, të pasura me proteina, si dhe duke pirë pak nga pak një shishe uji që kishte me vete. Nga ana e policisë thuhet se kur u gjet i riu ishte shumë i uritur, por ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishte nevojë për mjekime.