Tunizi e Algjeri, protesta të dhunshme kundër papunësisë
Tunis, 10 janar - Të paktën 20 persona kanë gjetur vdekjen nga armët e zjarrit gjatë protestave të dhunshme që kanë përfshirë dy qytetet, Thalën dhe Kesarinën në Tunizinë Perëndimore.
Lajmi njoftohet nga AFP e cila citon burimet opozitare. Viktimat janë kryesisht të rinj të cilët, ashtu si në Algjeri, janë hedhur në protesta kundër qeverisë për papunësinë në nivele alarmante dhe gjendjes së rëndë ekonomike.
Ndërkohë nga ana e saj, opozita vendase i ka kërkuar policisë të ndalë përdorimin e armëve të zjarrit ndaj protestuesve, si dhe u ka bërë thirrje këtyre të fundit për manifestime paqësore.
E njëjta situatë, por me bilance më pak tragjike paraqitet edhe në Algjeri. Të paktën 4 të rinj kanë gjetur vdekjen nga përleshjet e dhunshme me policinë. Shkak i protestave edhe në këtë vend të Afrikës së Veriut është bërë mungesa e vendeve të punës për të rinjtë.