Topi: Sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm

Tiranë, 28 korrik - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi vlerëson se Kosova është tashmë një realitet i njohur botërisht dhe sovraniteti i saj është i pakthyeshëm e i paprekshëm.
Ai dënon aktet e njëanshme të dhunës, duke i konsideruar ato krejtësisht të panevojshme dhe beson shumë tek institucionet legjitime të Kosovës për rikthimin e normalitetit afatgjatë.
Presidenti Topi po ashtu mbështet dhe inkurajon vazhdimin e dialogut institucional të iniciuar nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit, duke e vlerësuar atë si rruga më e mirë për zgjidhjen e problematikave reciproke, si dhe dhënien e kontributit konkret për forcimin e paqes e stabilitetit në përputhje me aspiratat e të gjithë rajonit për integrimin e plotë euroatlantik.
Topi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zymberi për humbjen e pazëvendësueshme të dashurit të tyre, dhe Policisë së Kosovës për humbjen e kolegut të rënë në krye të detyrës.