Tirana mes 9 kryeqyteteve të rrezikuara nga tërmetet
Tiranë, 19 korrik - Një studim i Universitetit të Kalifornisë në SHBA, rendit Tiranën në listën e 9 metropoleve të botës në rrezik nga tërmetet.
Studimi i publikuar në gazetën amerikane, "NYTimes" dhe gazetën italiane "La Repubblica", thekson se brenda 40 viteve të ardhshme, këto qytete kanë rrezik të goditen nga tërmetet.
Sipas studimit, "për shkak të mbipopullimit të shpejtë dhe ndërtimeve që janë përpjekur të ndjekin ritmin e mbipopullimit, do të mjaftonte që goditja të ishte 6 deri në 7 ballë dhe pasojat të ishin shkatërruese ".
Roxher Bilham, profesor i Universitetit të Kalifornisë ka bërë publike në këtë studim edhe një "hartë e ardhshme tërmetesh", ku theksohet se lëvizjet sizmike preferojne të godasin atje ku janë pikat tona të dobëta.
"Stambolli, p.sh., është një qytet "i dobët" për sa i përket pikëvështrimit sizmik që është rritur me një shpejtësi të madhe. Në vetëm 50 vjet ka kaluar nga 1 milion, në 10 milionë njerëz, që jetojnë pjesën më të madhe në ndërtime të kryera pa asnjë kriter antitërmet, apo antisizmik", shprehet një nga autorët e studimit.
Ai shton edhe se "një tërmet, si ai që goditi Haitin, në Stamboll mund të shkaktojë nga 30 deri në 40.000 viktima dhe të lëndojë të pakten 120.000. Jane të shumta ndërtesat e bëra në lartësi, pa marrë parasysh kapacitetet strukturore të kolonave apo të mureve mbështetëse. Ka prej tyre që janë të rrezikshme edhe pa pasur lëkundje sizmike. Shumë ndërtime të bëra me rërë deti dhe hekur, janë edhe më të brishta ndaj lëkundjeve sizmike".
Situata është e rënde edhe në qytete të vendeve të industrializuara, apo në zhvillim, në Europë. Në Lisbonë, Mesinë, Tiranë, Athinë ka gjasa qe lëkundjet sizmike, edhe pse jo të forta (6°-7° Rihter) të jenë katastrofike.
Kryeqytetet në rrezik nga tërmetet, ku brenda 40 viteve parashikohet një termet shkatërrues: Stambolli - Turqi Karaci - Pakistan Katmandu - Nepal Lima - Peru Teherani - Iran Lisbona - Portugali Mesina - Itali Tirana - Shqipëri Athina - Greqi.