TI: Më shumë angazhim në luftimin e korrupsionit
Gjenevë, 21 qershor - Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Turqia duhet të angazhohen më shumë për të garantuar zbatimin efektiv të ligjeve anti-korrupsion, thuhet në raportin e fundit të Transparency International, të publikuar sot.
Raporti mban titullin Kërkesat anti-korrupsion të BE-së: Matja e përparimit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Turqi.
Në raport, u bëhet thirrje qeverive të këtyre vendeve për të ndërtuar kapacitetin e domosdoshëm dhe për të përmirësuar qeverisjen në institucionet kyçe.
Është e domosdoshme një gatishmëri më e vendosur politike për të trajtuar problemin e korrupsionit në këto vende.
Duke siguruar zbatimin e reformave të pakthyeshme antikorrupsion, mundësohet edhe një process qenësor i anëtarësimit dhe një qasje e njejtë ndaj korrupsionit në gjithë Evropën, ka thënë Jana Mitermajer, udhëheqëse e zyrës ndërlidhëse e Transparency International në Bashkimin Evropian.
Gjetjet e këtij raporti flasin se pavarësisht kornizave ligjore të miratuara, ka mungesë përparimi në zbatimin e ligjeve anti-korrupsion dhe në sanksionimin e atyre që nuk i përmbushin detyrimet.
Kosova
Numri i vogël i gjykatësve dhe mungesa e mbështetjes teknike, si dhe mungesa e profesionalizmit, janë çështjet thelbësore që karakterizojnë sistemin e drejtësisë. Shërbyesit civilë nuk janë të stërvitur sa duhet, ndërhyrja politike në procesin e rekrutimit është jashtë kontrollit dhe paggat e ulëta pengojnë joshjen e personelit të kualifikuar. Mbi të gjitha ka mungesë të transparencës në prokurimin publik, gjë që ka ngritur dyshime për korrupsion mbi një numër kontratash të nënshkruara së fundmi.
Parlamenti gjithashtu përballet me vështirësi në përmbushjen e rolit mbikqyrës që ka ndaj qeverisë, për shkak të mungesës së kapacitetit në personel. Pamundësia e medias dhe shoqërisë civile për të monitoruar qeverinë dhe presidencën e Kuvendit gjithashtu paraqet problem.
Shqipëria
Në Shqipëri, hendeku i vazhdueshëm midis partive politike ka ngrirë reformat e rëndësishme në dy vitet e fundit. Sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformim për të siguruar pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e gjykatësve.
Këtu përfshihet edhe ngritja e kapaciteteve dhe zhvillimi i kritereve më precise për emërimin e gjykatësve dhe një imunitet më i kufizuar në rast të korrupsionit dhe keqbërjes.
Ekziston edhe ndërhyrja politike në emërimin e shërbyesve civilë, ndërkohë që Parlamenti ka mungesë të administratës së pavarur dhe profesionale.
Maqedonia
Në Maqedoni, raporti vlerëson se ka probleme të theksuara në ndërhyrjen politike ndaj shkarkimit të gjykatësve, emërimit dhe shkarkimit të shërbyesve civilë, qasjes në informata dhe zbatimit të procedurave të prokurimit publik.
Është e pamundur, për shembull, për publikun të marrë informacione mbi sesionet në gjykata, meqë koha nuk bëhet e ditur.
Turqia
Për Turqinë ndërkaq, raporti nënvizon se problemi kryesor ka të bëjë me rekrutimin, emërimin dhe promovimin e gjykatësve, me gjithë përmirësimet që janë bërë së fundmi në ligjet aktuale. Parlamenti ndërkaq, nuk ka kod etik për anëtarët e tij, sikur që nuk ka kod sjelljeje as për anëtarët e sistemit të drejtësisë.