Thellohet bashkëpunimi rajonal në fushën e qeverisjes lokale
Shkup, 31 maj - Roli i bashkëpunimit në mes të dy apo më shumë
komunave është tejet i rëndësishme duke rritur potencialin për zhvillim
të qëndrueshëm ekonomik lokal.
Në këtë frymë Instituti KLGI, në kuadër të programit në ‘Mbështetje të
Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’, ka mbajtur trajnimin
modular tre-ditor (28-30 mars) me zyrtarë komunalë, njëherësh organizoi
vizita studimore në komuna në Republikën e Maqedonisë.
Vizitat kishin për synim thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit
strategjik, përkatësisht adresimin dhe njohjen e praktikave të
Maqedonisë në fushën e bashkëpunimit ndër-komunal.
Në ditën e parë, delegacioni pati dy takime të ndara, me ministrin për
Vetëqeverisje Lokale, z. Suhejl Fazliu, dhe drejtoreshën Ekzekutive të
Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), znj. Dusica
Persic.
Ministri Fazliu gjatë adresimit të tij u fokusa në tri fusha të
rëndësishme përmes të cilave kjo Ministri synon të avancojë aktivitetet e
saj, nisur nga decentralizimi pushtetit, zhvillimi i balancuar
regjional dhe bashkëpunimi ndër-kufitar me fqinjët.
Ndërkaq drejtoresha Persic prezantoi rolin dhe punën e Bashkësisë në
mbështetje të komunave, në veçanti për përfaqësimin dhe lobimin që
Bashkësia bën në shërbim të fuqizimit të komunave në ofrimin e
shërbimeve për qytetarët.
Në ditën e dytë të vizitës studimore delegacioni kosovar i prirë nga U.D
Drejtor Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Muçaj, u pritën nga
kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe kryesuesi i këshillit
Resul Kaba.
Në takim u shtruan shumë çështje nisur nga funksionimi i komunës,
projektet zhvillimore, bashkëpunimi ndër-komunal, ndërmarrjet publike,
zhvillimi ekonomik lokal e deri tek planifikimi strategjik.
Kryetari i komunës së Strugës, Merko i informoi për zhvillimin e komunës dhe për funksionimin e Këshillit Komunal.
Ai njoftoi pjesëmarrësit për hapat që ka ndërmarrë kjo komunë në nxitjen dhe thithjen e investimeve direkte.
Ndërsa, Besnik Muçaj falënderoi për pritjen në këtë takim si një nismë e
përbashkët në fuqizimin e lidhjes dhe relacioneve në mes të komunave së
Republikës së Maqedonisë dhe atyre të Republikës së Kosovës.
Muçaj foli me interes për formën e bashkëpunimit ndër-komunal dhe u
interesua për projektet zhvillimore regjionale që përdorin komunat e
Maqedonisë për projektet e mëdha investive.
Edhe në ditën e tretë të trajnimit modular që u zhvillua në Republikën e
Maqedonisë, u trajtua dhe adresua roli i bashkëpunimit ndër-komunal
(BKN) në ofrimin e shërbimeve, nxitja e zhvillimit rajonal dhe promovimi
i tyre nga mediat.
Ligjërues në këto sesione të ndara ishin z. Besnik Muçaj, u.d. Drejtor
Ekzekutiv i Institutit KLGI; z. Trim Berisha, Udhëheqës i Departamentit
për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal nga MAPL dhe znj. Kaltrina Ajeti,
Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit Kosovar të Mediave dhe Komunikimit.
Përfituesit e këtij programi të avancuar gjatë vizitave dhe trajnimit
modular u njohën me qasjen e aspektit legjislativ dhe institucional
lidhur me konceptin e bashkëpunimit ndër-komunal.
Në fund të sesioneve trajnuese, pjesëmarrësit përmes punës në grupe
shkëmbyen eksperiencat dhe modelet në komunat përkatëse, njëherësh
përmes punës praktike bënë identifikimin e fushave të BKN-së, përfitimet
e BKN-së në ofrimin e shërbimeve dhe projektet e përbashkëta përmes
BKN-së.
Programi mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë!