The Times of Israel: Ja pse Kosova e pëlqen Izraelin

Kosova dhe Izraeli kanë shumë të përbashkëta dhe e ardhmja mund ti shtyjë të dyja drejt bashkëpunimit më të thellë. Kështu nis artikullin Joshua Stanton, një rabin izraelit që jeton në Nju Jork dhe me ndikim të madh në lobin izraelit në SHBA të botuar në The Times of Israel.
Aty, Stanton flet për përvojën e tij gjatë qëndrimit në Kosovë këtë verë ku mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Ministria e Jashtme dhe e përshkruan mikpritjen e ngrohtë të kosovarëve dhe dashurinë që kanë për izraelitët.
Në artikull, Stanton përpiqet të hedh dritë për simpatinë e madhe të kosovarëve ndaj Izraelit për të ardhur në një përfundim se kjo ndodh për shkakun e vetëm se shumë kosovarë mendojnë që kanë një histori të ngjashme kombëtare sikurse izraelitët, atë të gjenocidit dhe spastrimit etnik.
Vetëm gjatë muajit dhjetor thuhet në artikull, Qeveria e Kosovës ndërmori një hap tutje për ta njohur komunitetin izraelit dhe Izraelin në veçanti, që mund të shtyj përpara drejt një bashkëpunimi më të drejtpërdrejt me Izraelin.
Nën patronazhin e Ministrisë së Jashtme, Kosova organizoi Festivalin e Filmit Izraelit në shenjë përkujtimi të kulturës izraelite.
Artikulli citon ministrin Hoxhaj të ketë thënë në hapje të festivalit se iniciativa reflekton nevojën për të pasur më shumë mirëkuptim ndërmjet shoqërive tona, më shumë mundësi ta njohim njëri-tjetrin dhe se filmi mund të ndihmoj në këtë drejtim.
Megjithëse ka dallime ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, nocioni i të qenurit Start-Up Nation i Kosovës me fqinjë kundërshtar dhe një të kaluar kombëtare të dhimbshme mund të shërbej si një bazë e mirë për bashkëpunim të ardhshëm. Njëkohësisht, dashuria e shumë kosovarëve për Izraelin tani duket thellë e rrënjosur.