Thaçin nuk e presin në Bruksel krerët e BE-së
Bruksel, 9 qershor - Vizita dyditëshe e presidentit të Kosovës në Bruksel, Hashim Thaçi, nuk ka shkuar sipas pritjeve, as të BE-së e as të tij, shkruan sot Koha Ditore.
Në momentin e fundit, sipas burimeve nga BE-ja, është anuluar takimi që Thaçi është dashur ta ketë me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Gjatë ditës nuk ka pasur sqarime për këtë anulim dhe as tentime që kjo të arsyetohet kinse me agjendën e ngjeshur si ndodh zakonisht.
Fundi i fundit, Tusk të njëjtën ditë ka pasur takim me presidentin e Gjeorgjisë.
Më vonë gjatë mbrëmjes Kohës Ditore nga zyrtarë të BE-së i është thënë se takimi me zotin Thaçi është anuluar për shkak të mungesës së progresit në negociatat për zgjatjen e mandatit të EULEX-it, shkruan sot më gjerësisht Koha Ditore.