Thaçi: Lufta nuk ka përfunduar
Shkup, 16 shtator - Për liderin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, lufta mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ka përfunduar, por, siç thotë ai, është vetëm në një time-out.
Ajo luftë vazhdon dhe kjo është më e rrezikshme, pasi që vazhdon nën tokë (underground), ku dy palët kanë zënë pozicionet e veta, shprehet Thaçi në një intervistë për Zërin.
Ai paralajmëron se Maqedonia do të shkatërrohet shumë shpejt nëse nuk i qaset seriozisht vendimmarrjes ndërmjet dy popujve, pasi që shqiptarët ende nuk janë vendimmarrës në institucionet shtetërore, mirëpo me vete e bartin vetëm simbolikën e figurantit.
Kundërshtarin e tij politik, Ali Ahmetin, e quan mercenar, i cili, sipas tij, funksionon në emër të interesave maqedonase.
Kreu i PDSH-së në Maqedoni gjatë kësaj interviste thotë se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka potencialin që të jetë gardian i shqiptarëve në rajon dhe tregon arsyet e vërteta të prishjes së raporteve me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai flet me simpati për aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse pranon se nuk ka miqësi personale me Albin Kurtin.
(Zëri)