Thaçi: Kosova përkrah Shqipërisë për të përballuar përmbytjet
Prishtinë, 3 dhjetor - Kryeministri në ikje i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se qeveria e tij do të jetë në krah të Shqipërisë për të përballuar situatën e përmbytjeve.
Ai u shpreh sot se kishte biseduar me kryeministrin e Shqipërisë, Berisha, në lidhje me situatën në Qarkun e Shkodrës.
Ndjej gjendjen në Shqipëri, në Shkodër me rrethina të shkaktuara nga vërshimet. Është kjo një ndjenjë shtetërore, por edhe vëllazërore e gjithë popullit të Kosovës, tha Thaçi. Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë për ndihmë të plotë me të gjitha mundësitë dhe potencialet tona.
Kryeministri në detyrë tha se janë dislokuar në veri të Shqipërisë trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Tani FSK-ja veç është në terren në vendngjarje. Ne veç kemi marrë vendim për dërgimin e trupave të FSK-së në Shkodër me rrethinë, tha ai, duke shtuar se "do të jemi krah Qeverisë së Shqipërisë, popullit të saj, në përkrahje të plotë materiale të nevojshme.
Thaçi ftoi gjithë autoritetet komunale që të jenë në krah të popullit shqiptar në Shqipëri. Gjithë qytetarët e Kosovës të tregojnë solidaritetin e tyre vëllazëror. Është një gjendje jo e lehtë, por jemi të vendosur të jemi në përkrahje të plotë të kryeministrit Berisha dhe Qeverisë së Shqipërisë, që bashkërisht të tejkalojmë këtë gjendje siç kemi tejkaluar edhe më herët situata jo të mira, theksoi Thaçi.