Thaçi ftohet në Samitin botëror të Liderëve të Ndryshimeve
Prishtinë, 4 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Songul Ozan.
Ambasadorja Ozan i ka përcjellë kryeministrit Thaçi urimet më të përzemërta të kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan për rizgjedhjen në Thaçi në postin e kryeministrit dhe formimin e institucioneve te reja të Republikës së Kosovës dhe ka shprehur bindjen se kabineti i ri qeveritar do të thellojë përkushtimet për implementimin përmbajtësor të reformave të gjithanshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
Nga ana e tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se Republika e Turqisë i ka dhënë ndihme Republikës së Kosovës në procesin e çlirimit, atë të pavarësisë dhe tani në procesin e zhvillimit dhe integrimit.
Në vazhdim, kryeministri Thaçi ka theksuar është vullnet i plotë i Qeverisë së Republikës së Kosovës që bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes dy vendeve tona mike të forcohet në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Në takim me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, kryeministri Thaçi ka folur edhe për vizionin dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që siç ka potencuar kryeministri Thaçi është fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit, qeverisja e mirë dhe transparente, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenia sociale për qytetarët tanë.
"Po ashtu, një nga objektivat e rëndësishme të qeverisë së re është edhe forcimi i bashkëpunimit rajonal, fqinjësia e mirë me të gjitha vendet e rajonit, duke besuar se në këtë mënyrë i kontribojmë paqes, stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit të plotë të rajonit tonë në strukturat euro-atlantike", u shpreh Thaçi.
Ambasadorja Ozan i ka dorëzuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ftesën e kryeministrit të Turqisë, Erdogan për të marrë pjesë në Samitin botëror të Liderëve të Ndryshimeve, që do të mbahet nga 14 deri në 15 mars në Stamboll.
Samiti i Liderëve të Ndryshimeve, që mbahet çdo vit në Stamboll, synon të krijojë një platformë të diskutimeve lidhur me ndryshimet globale në fushën e ekonomisë, politikës dhe atë sociale, duke mbledhur në këtë takim akademikë, përfaqësues të biznesit, politikanë dhe liderë nga vende të ndryshme, personalitete të cilët udhëheqin ndryshimet në vendet e tyre dhe më gjërë.