Thaçi e Daciq takohen sot në Bruksel
Bruksel, 5 dhjetor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, do të takohen sot në Bruksel, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është arritur 19 prill të këtij viti.
Takimi është ftuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catheirne Ashton, e cila është shprehur e kënaqur me ecurinë e zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë, të cilat sipas saj janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.
Kryeministri Thaçi ka thënë se në takimin e radhës do të diskohet për përshpejtimin e procesit të zbatimit të marrëveshjes, funksionimin e Policisë së Kosovës në të gjithë territorin e Kosovës, instalimin e sistemit të Drejtësisë sipas legjislacionit kosovar edhe në atë pjesë të territorit të vendit, pastaj edhe funksionimin e një sistemi unik doganor dhe çështje të tjera.
Marrëveshja e prillit mundësoi përfshirjen e komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës që të përfshihen në zgjedhjet komunale të organizuara nga Prishtina. Sipas marrëveshjes, pas zgjedhjeve pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që do të gëzojnë një shkallë të gjerë autonomie.
Beogradi i ka siguruar serbët se me pushtetin komunal në veriun e Kosovës ata do të ruajnë lidhjet e tyre me Serbinë, ndërsa Prishtina i sheh zgjedhjet si hapin e parë të rëndësishëm drejt integrimit të asaj zone.
Në përgatitje të takimit të radhës së kryeministrave, në Bruksel po zhvillohen takimet e grupeve punuese për funksionalizimin e këtij mekanizmi.