Thaçi e Daciç pajtohen për përseritjen e zgjedhjeve në veri
Zyra e baroneshës Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve, ka lëshuar një komunikatë për medie, me qëndrimin e baroneshës Ashton rreth rrjedhës së takimit.
Pata një takim shumë të mirë me kryeministrin serb Ivica Daçiq dhe kryeministrin kosovar Hashim Thaçi. Jam e lumtur që të dy kryeministrat u pajtuan sot për hapat e mëtutjeshëm në përmbylljen e suksesshme të procesit elektoral në veri të Kosovës, ka thënë Ashton në qëndrimin e saj pas takimit.
Baronesha Ashton, ka thënë se autoritetet relevante në Prishtinë do të vendosin për elementet specifike të këtij procesi.
Ajo ka shtuar, se kryeministrat janë pajtuar që të vazhdojnë të punojnë në implementimin e marrëveshjes së prillit dhe se kanë konfirmuar vullnetin e tyre për të bërë gjithçka që është e për implementimin e plotë të saj.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, zgjedhjet në veri pritet të mbahen para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen me 1 dhjetor.
Ishte konkludim i përbashkët që zgjedhjet e suksesshme të 3 nëntorit kanë legjitimuar Marrëveshjen e arritur në Bruksel. Është hapur një kapitulli i ri evropian edhe për pjesën e veriut të Kosovës. Nga 1 dhjetori do të kemi edhe liderët e rinj legjitim edhe në veri dhe qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë me ta për të ndryshuar jetën e qytetarëve për më mirë, deklaroi Thaçi.
Nga 1 dhjetori do ti kemi edhe liderët legjitimë edhe në veri dhe Qeveria e Kosovës do të nisë bashkëpunimin e menjëhershëm për të ndryshuar jetën e qytetarëve atje për të mirë, sepse kemi edhe vlefshmëri dhe legalitet të plotë të zgjedhjeve.
Ndërkaq, për marrëveshjen e arritur për doganat nga ana e dy delegacioneve, atij kosovar dhe delegacionit serb, ka thënë se është pjesë e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Prillit:
Lajm i mirë ishte dje marrëveshja e arritur për Doganat ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, e cila përfundimisht funksionalizon sistemin doganor të Republikës së Kosovës edhe në veri, si pjesë e obligimeve që kanë dalë nga marrëveshja në Bruksel".
I pyetur nga gazetarët për datën e mbajtjes së rivotimeve në veri, Thaçi nuk ka saktësuar ndonjë datë, duke theksuar se kjo është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Vendimi përfundimtar për datën e rivotimit është në autoritetin e KQZ-së dhe ne do ta mbështesim atë vendim, por, sipas ligjit, rivotimi duhet të jetë para raundit të dytë që do të mbahet më 1 dhjetor, në gjithë Kosovën, ka deklaruar Thaçi.
Ndërsa kryeministri serb Ivica Daçiç iu bëri thirrje serbëve të Kosovës për proces të rregullt zgjedhor në veri, që të mos luajnë me fatin e Serbisë, rrugëtimi evropian i së cilës varet nga zbatimi i Marrëveshjes së prillit.
Bëhet fjalë për rreth 20 mijë votues në veri të Mitrovicës. A mendon dikush me të vërtetë seriozisht se për shkak të 20 mijë votuesve do të sakrifikohet fati i gjashtë deri shtatë milionë njerëzve në Serbi?, tha Daçiç.
Përfshirja e komunave veriore me shumicë serbe në zgjedhjet komunale të Kosovës, ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në muajin prill nga kryeministrat Thaçi e Daçiç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.
Pas zgjedhjeve pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që sipas marrëveshjes do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.
Takimi i radhës ndërmjet kryeministrave pritet të mbahet më 5 dhjetor, pak ditë pas raundit të dytë të zgjedhjeve komunale në Kosovë.