03 Maj 2024

Thaçi e Berisha, diskutojnë për veriun e Kosovës

Tiranë, 31 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një takim pune me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha shprehu mirëkuptimin dhe mbështetjen e fuqishme të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për vendimin legjitim të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veriun e Kosovës.

Kryeministri Berisha, në të njejtën kohë i ofroi kryeministrit Thaçi mbështetjen e parezervë dhe të vazhdueshme të shtetit shqiptar për qeverinë kosovare në këtë drejtim.

Gjatë këtij takimi të dy Kryeministrat biseduan gjerësisht për zhvillimet më të fundit në kufirin verior të Kosovës, njoftoi kabineti i kryeministrit shqiptar.

Kryeministri Berisha ritheksoi se qeveria shqiptare po e ndjek me shumë vëmendje dhe shqetësim situatën në kufirin verior të Republikës së Kosovës dhe e siguroi zotin Thaçi se ajo mbështet plotësisht vendimet e qeverisë së Kosovës për garantimin e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të saj.

Të dy kryeministrat ndanë të njëjtin qëndrim se aktet kriminale në vendkalimet në kufirin verior të Kosovës  nuk janë gjë tjetër veçse akte të nxitura dhe të mbështetura nga qarqe ultra nacionaliste të Beogradit të cilat dëshmojnë qartë rrezikun që fantazma e Serbisë së madhe paraqet ende për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi dhe mbështeti vendimin e qeverisë së Kosovës për t\'iu përgjigjur me reciprocitet embargos disa vjeçare serbe për mallrat e Kosovës dhe e siguroi z. Thaçi se qeveria shqiptare do t’i japë Kosovës të gjitha lehtësirat portuale dhe çdo lehtësi tjetër, për të përballuar embargon e Serbisë ndaj saj me pasoja sa më të vogla.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi si të domosdoshme uljen e tensionit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë aspekt, Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishëm krijimin e kushteve për vazhdimin me sukses të dialogut dhe negociatave, në kuadrin e procesit të Brukselit, si proces midis palëve të barabarta dhe shumë i rëndësishëm për vendet e tyre, për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në anën tjetër Me këtë rast, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka njoftuar homologun e tij shqiptar, kryeministrin Sali Berisha për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërinë në pjesën veriore të Kosovës.

Në këtë drejtim, kryeministri Hashim Thaçi ritheksoi qëndrimin se nuk do të ketë kthim prapa, nuk do të ketë asnjë zbrapsje, do të ketë vetëm ecje përpara dhe respektim të plotë të sovranitetit dhe integritetit të plotë të Republikës së Kosovës edhe në atë pjesë të vendit.

Në të njejtën kohë, kryeministri Thaçi theksoi se me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veriun e Kosovës, është arritur që 12 vjet pas luftës të ndërpritet dhe të bllokohet në tërësi kontrabanda në pjesën veriore të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)