Tërmeti me fuqi prej 7.4 shkallësh të Richterit godet Meksikën
Oaksaka, 24 qershor - Një tërmet i fuqishëm ka dridhur ndërtesat dhe ka shkaktuar panik në gjashtë shtete të Meksikës, duke lënë të vdekur së paku pesë vetë.
Shumë njerëz kanë qenë duke punuar nga shtëpitë, pasi kryeqyteti Meksiko Siti është në izolim, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Megjithatë, raportohet se sistemi i alarmit të qeverisë ka funksionuar mirë, duke u dhënë banorëve kohë të dilnin nga shtëpitë.
Epiqendra e tërmetit me fuqi prej 7.4 shkallësh të Richterit ka qenë në shtetin jugperëndimor Oaksaka.
Gjashtë orë pas tij janë regjistruar edhe mbi 400 dridhje të tjera në rajon.
Tërmeti ndodh më pak se tre vjet pas një tërmeti tjetër të fuqishëm, i cili ka lënë qindra njerëz të vdekur dhe mijëra të pastrehë në Meksiko Siti.