Tensione të larta në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës
Kiev, 4 prill - Zyrtarët ukrainas thanë se gati 100 mijë ushtarë rus përgjatë kufirit lindor dhe jugor të vendit janë gati për të pushtuar.
Komandanti i lartë i NATOs, gjenerali Philip Breedlove, tha dje se forcat ruse janë gati të ndërhynë dhe mund të marrin nën kontroll një pjesë të madhe të Ukrainës në më pak se tre ditë.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i bëri sot thirrje Perëndimit dhe Ukrainës të ulin retorikën, e cila sipas tij po bëhet e paarsyeshme.
\"Në lidhje me lëvizjet e ushtrisë ruse në territorin rus nuk ka kufizime partnerët tanë perendimorë e pranojnë se nuk ka asnjë problem ligjor. Nuk do ta ekzagjeroja këtë situate ashtu siç po bëjnë autoritetet e tanishme ukrainase dhe padronët e tyre në perëndim. Mendojmë se në qoftë se përdoret termi i uljes së tensioneve, atëherë nuk ka nevojë të shtohet retorika. \"
Lavrov po i kërkon gjithashtu Natos përgjigje për planet e saj për të forcuar mbrojtjen në Evropën Lindore një përgjigje direkte ndaj aneksimit rus të gadishullit të Krimesë.
Sekretari i Përgjithshëm i Natos tha dje pas takimit të nivelit të lartë të ministrave të jashtë të aleancës në Bruksel çdo ndërhyrje tjetër e Rusisë pas aneksimit të Krimesë do të ishte një gabim i rëndë.
Në se Rusia do të ndërhynte më tej në Ukrainë, nuk do të hezitoja ta quaja këtë një gabim historik. Kjo do të çonte në izolim të mëtejshëm të Rusisë nga komuniteti ndërkombëtar dhe do të kishte pasoja të mëdha.
Ndërkohë, presidenti i rrëzuar ukrainas Viktor Yanukovych tha në intervistën e tij të parë që kur kërkoi azil në Rusi se gaboi kur ftoi trupat ruse në gadishullin ukrainas të Krimesë.
Ai i tha gjithashtu agjencisë Associated Press dhe televizionit rus NTV se do të përpiqet të bindë Moskën ta kthejë Krimenë nën kontrollin e Ukrainës.