Të ftohtit në Evropë, humbin jetën rreth 500 persona
Kiev, 9 shkurt - Një i ftohtë akullnajor me erëra dhe reshje të fuqishme dëbore vazhdoi edhe sot në të gjithë Evropën duke shkaktuar deri tani rreth 500 të vdekur pas 12 ditësh, pjesa më e madhe e të cilëve në lindje të kontinentit.
Në Ukrainë, numri i të vdekurve arriti në 136, ndërkohë që jugu i vendit është në mëshirën e stuhive të dëborës që ka bllokuar edhe qindra makina. Temperaturat do të jenë deri në fund të javës minus 30 gradë Celsius.
Në Poloni, numri i të vdekurve nga hypotermia ka arritur në 74. I ftohti polar ka shkaktuar vdekjen edhe të 23 personave në Lituani, 10 në Letoni dhe një në
Estoni. Tre të vdekur regjistrohen në Sllovaki. Republika Çeke ka njoftuar vdekjen e 24 personave.
Në Rusi, ku temperaturat arritën në minus 22 gradë Celsius në Moskë, kanë vdekur 110 persona. Ndërkohë, situatë të njëjtë meteorologjike po përjeton edhe Ballkani.
Agjencitë respektive të lajmeve të vendeve ballkanike bëjnë të ditur për 12 të vdekur në Serbi, gjashtë në Bosnje-Hercegovinë, tre në Kroaci dhe nga një në Malin e Zi, Maqedoni dhe Shqipëri.
Në Bosnje, temperaturat kanë arritur në minus 20 gradë Celsius. Rumania ka regjistruar 41 të vdekur që nga 24 janari. Edhe Italia ka njoftuar për vdekjen e 40 personave deri tani.