Takimi Thaçi - Daçiç përfundon, raundi i ardhshëm me 20 mars
Bruksel, 4 mars - Sot në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka përfunduar raundi i gjashtë i bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç. Takimi i ardhshëm pritet të zhvillohet më 20 mars.
Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijançiq ka thënë se në takimin e gjashtë në mes të baroneshës Catherine Ashton me kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, \"është arritur përparim i mirë\".
Ajo ka bërë këtë koment në rrjetin social Twitter. Kocijançiq ka thënë gjithashtu se nga tash deri në takimin e ardhshëm më 20 mars \"duhet të kryhen disa punë\".
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar shkurtimisht se ka pajtueshmëri verbale për heqjen e strukturave paralele të sigurisë në veri.
Ishte takim konstruktiv në frymën e mundësive për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme në përputhshmëri me Kushtetuten e Kosovës dhe ligjet e saj. Është bërë progres në kuptimin e asaj që të kemi rend dhe ligj edhe në veri, të kemi rend demokratik, të kemi zgjedhje të lira, zgjedhje ku vetë qytetarët mund të zgjedhin përfaqësuesit legjitimë\".
\"Natyrisht që është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjithmonë sipas ligjeve të Kosovës, por në asnjë rrethanë me ndonjë mandat legjislativ apo ekzekutiv, apo Ahtisaari plus përkundrazi gjithmonë gjithçka do të mbetet në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane, u shpreh Thaçi.
Ai ka thënë se takimi i ardhshëm do të mbahet më 20 mars. Ka pasur një pajtueshmëri verbale për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave të sigurisë si dhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës edhe në veri, u shpreh Thaçi, i cili tha se nga sot është më optimist.
Nga sot mund të them se jam më optimist për nomalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë duke implementuar agjendën që e kemi para nesh të udhëhequr nga BE dhe të mbëshetur nga SHBA, tha Thaçi.
Prishtina zyrtare kërkon zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në veri dhe krijimin e një asociacioni të komunave, pa fuqi ekzekutive, por në anën tjetër Beogradi zyrtar kërkon një formë kompromisi kur bëhet fjalë për pushtetin ekzekutiv të këtij asociacioni.