Takimi Thaçi-Daçiç përfundon pa marrëveshje
Bruksel, 20 shkurt - Sot ka përfunduar dita e dytë e raundit të pestë të bisedimeve mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, në nivel të kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.
Në një deklaratë të lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, thuhet se të dy kryeministrat kanë zhvilluar takime të martën dhe të mërkurën në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve dhe se \"kanë zhvilluar diskutime të thella\".
\"Ata janë kthyer në kryeqytetet e tyre për konsultime dhe do të kthehen më 4 mars në Bruksel për takimin e radhës\", citohet të ketë thënë baronesha Ashton, duke shtuar se \"kryeministrat janë të kënaqur me përparimin thelbësor që kanë arritur, ashtu sikurse edhe unë\".
Këtu përfundon edhe deklarata e zonjës Ashton. Nuk ka ende informacione, se për çfarë përparimesh bëhet fjalë saktësisht.
Ndërkaq kryeministri Thaçi pas takimit të fundit me homologun serb Ivica Daçiq në Bruksel, ka bërë me dije, se tani grupet profesionale do të qartësojnë më mirë dhe në detaje çështjet të cilat janë diksutuar. Sipas tij, takimi ka qenë në frymë konstruktive.
Mund të them se ka qenë edhe sot një takim në frymën konstruktive në frymën e një përkushtimi për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, në gjetjen e një zgjidhje për normalizimin e situatës në veri të Kosovës, për shpërbërjen e strukturave të sigurisë sa më shpejtë që është e mundur, për rend dhe ligj që të funksionojë sistemi i drejtësisë në kuadër të legjislacioni kosovar.\"
\"Në të njëjtën kohë për domosdoshmërinë e organizimit të zgjedhjeve të lira edhe në katër komunat në veri brenda këtij viti, ka thënë Thaçi.
Ai ka paralajmëruar takime të grupeve të ndryshme për të diskutuar detajet.
Mund të them se në ditët e ardhshme do të takohen grupet profesionale që ti qartësojnë më mirë dhe në detaje të gjitha këto gjëra, për tu takuar sërish në nivel të kryeministrave më datën 4 mars.\"
\"Dua të theksoj se është një frymë e mirë për të lëvizur drejt përmbylljes apo zgjidhjes së të gjitha problemeve që janë grumbulluar në atë pjesë të Kosovës tash e 13 vjet, u shpreh kryeministri Thaçi, i cili në dha sqarime në pyetjen e një gazetari nëse është arritur marrëveshje për shëprbërjen e strukturave paralele
Të gjithë janë të vetëdijshëm se strukturat paralele të Serbisë duhet të shpërbëhen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo do të ndodhë. Strukturat e sigurisë do të shpërbëhen, ndërsa do të gjejmë forma dhe mundësi të tjera sa i përket sistemit të edukimit, shëndetësisë, shërbyesve civilë që të adaptohen apo që të transformohen, tha Thaçi.