Tajfuni "Neoguri" godet Japoninë
Tokio, 8 korrik - Një tajfun i madh me erëra shkatërruese, valë të tmerrshme dhe stuhi deti po kalon sot në ishullin japonez të Okinauas. Autoritetet anuluan fluturimet dhe i bënë thirrje mbi 500.000 njerëzve të evakuohen pasi meteorologët lëshuan paralajmërimin për stuhinë më të madhe të ndodhur ndonjë herë.
Një person është raportuar i vdekur nga tajfuni Neoguri pasi anija e tij u mbyt nga valët e mëdha. Gjithashtu, disa njerëz pësuan dëmtime të lehta nga rëniet si pasojë e erërave të fuqishme.
Mbi 50 mijë shtëpi raportohet të kenë mbetur pa energji, ndërkohë që një rafineri nafte ka ndërprerë operacionet. Në orën 12:00 me orën lokale, tajfuni Neoguri po drejtohej në veri me një shpejtësi prej 25 kilometrash në orë, raporton agjencia e lajmeve Kyodo. Sipas zyrtarit nga agjencia, valët e detit mund të arrijë lartësinë deri në 14 metra.
Disa shkolla në jug të ishujve kryesorë të Japonisë janë mbyllur, dhe autoritetet kanë ndalur transportin ajror dhe detar.
Situata në Okinaua, paraqet një rrezikshmëri të lartë jo vetëm për vendasit. Prefektura e ekstremit jugor të Japonisë që përfshin edhe disa ishuj të vegjël, është shtëpi e bazave më të mëdha ushtarake amerikane. Rreth 26 mijë trupa janë vendosur atje në bazë të një marrëveshjeje afatgjatë SHBA-Japoni.