Tahiri takohet me presidentin Nishani
Tiranë, 15 mars - Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri qëndroi në Tiranë me ftesën e zonjës së parë të Shqipërisë, Odeta Nishani, për të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar me rastin e Ditës së Verës ku në mesin e të ftuarave ishin ambasadoret, gratë e ambasadorëve dhe personalitete të shquara shqiptare.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u prit nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ku në një takim të gjatë e miqësor biseduan për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Kosovë me theks të veçantë në forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit bashkërenditjes në të gjitha fushat.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri me këtë rast theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të thelluar më shumë bashkëpunimin mes të dyja vendeve në planin bilateral dhe në kuadër të reformave euroatlantike duke punuar së bashku në çështjet e interesit kombëtar dhe shtetëror.
Ajo tha se ndryshimet historike që i kemi bërë në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit njëzetë kanë krijuar një bazë të qëndrueshme që shekulli njëzetenjë të jetë shekulli i drejtësisë dhe i fuqizimit të kombit shqiptar.
Nga ana e tij, Presidenti Bujar Nishani vlerësoi përparimet e arritura në bashkëpunimin mes dy vendeve duke u angazhuar për zhvillimin e mëtejmë të të dyja vendeve sidomos në drejtimin e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit, ekonomisë së qëndrueshme dhe integrimeve euro-atlantike.
Ai tha se Shqipëria do të vazhdoj angazhimet për rritjen e njohjeve për Kosovën dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës ndërsa vlerësoi se Qeveri e Kosovës është në rrugë të mirë për realizimin e synimeve euroatlantike për Kosovën.
Më pas, Zëvendëskryeministrja Tahiri mori pjesë në pritjen në Presidencë me rastin e Ditës së Verës ku në fjalën e sajë uroi zonjën e parë Odeta Nishani për këtë organizim që bashkon traditat e lashta shqiptare dhe dimensionin e modernitetit dhe kërkoi që me angazhimet e përbashkëta \"Dita e verës\" të jetë një festë tradicionale në të gjitha trevat shqiptare. E ardhmja jonë duhet të ndërtohet me vizione progresive dhe duke ruajtur me kujdes identitetin dhe kulturën kombëtare, tha ajo.
Zonja e parë Odeta Nishani u shprehë se vlerat tona tradicionale dhe kombëtare mund të ruhen më së miri duke promovuar e mbrojtur traditat kulturore që janë të shumta si një komb i lashtë që jemi. Ajo po ashtu, vlerësoi rëndësinë që gratë të fuqizohen më tej për të dhënë kontributin e tyre në proceset zhvillimore në planin nacional dhe shtetëror.
Znj. Odeta Nishani shtroi një drekë për nder të Zëvendëskryeministres Tahiri në të cilën ishin të pranishme edhe ish-Zënendësministrja e jashtme Shqipërisë Edith Harxhi dhe Arjeta Rexhaj këshilltare e ZVKM Tahiri.