Tahiri qëndroi në një vizitë pune në Londër
Londër, 3 dhjetor - Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri qëndroi në një vizitë pune në Londër nga data 29 nëntor deri më 2 dhjetor 2013.
Me këtë rast zhvilloi një varg takimesh me zyrtarë të ministrisë së Jashtme britanike dhe të BERZH-it, si dhe qëndroi në Universitetin e Oxfordit për të marrë pjesë në Seminarin mbi rrjedhat e dialogut të Brukselit.
Më datën 29 nëntor, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mori pjesë në Seminarin e Universitetit të Oxfordit, ku mbajti një ligjëratë mbi Rëndësinë, rezultatet dhe sfidat e Marrëveshjes së Brukselit të datës 19 prill 2013.
Në prani të politikanëve, profesorëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile, zëvendëskryeministrja Tahiri në fjalën e saj ndër tjerash theksoi se Marrëveshja e Brukselit ka rëndësi për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajon, si dhe kontribuon për ardhmërinë evropiane të shtetit të Kosovës.
Ajo foli për rezultatet e para në zbatimin e kësaj marrëveshje duke veçuar zgjedhjet e suksesshme lokale në Kosovë, të cilat për herë të parë u mbajtën në tërë Kosovën me pjesëmarrjen edhe të komunave të veriut të vendit.
Zëvendëskryeministrja Tahiri vuri theksin te rëndësia e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Brukselit që hap rrugën për normalizimin e gjendjes në veri të vendit, integrimin e serbëve të pjesës veriore në institucionet e shtetit të Kosovës, si dhe i jep fund ndërhyrjeve të Serbisë dhe strukturave ilegale serbe.
Znj. Tahiri potencoi se normalizimi i marrëdhënieve mes të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, do të jetë një proces i gjatë që duhet të përfundoj me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, para se kjo e fundit të anëtarësohet në BE.
Në kuadër të punimeve të këtij seminari, Zëvendëskryeministrja zhvilloi një takim me Drejtorin për Ballkanin të ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Owen Jenkins, me të cilin bisedoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dyja vendeve, si dhe e njoftoi atë me rrjedhat dhe sfidat e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.
Znj. Tahiri vlerësoi angazhimin e Britanisë në mbështetje të Kosovës, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e reformave euro-atlantike në të gjitha planet.
Nga ana e tij, Jenkins u shpreh se Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqishëm perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe vlerësoi lartë angazhimin serioz të Qeverisë së Kosovës për standardet evropiane të fqinjësisë së mirë që u dëshmua edhe me procesin e dialogut të Brukselit.
Me datën 2 dhjetor, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u prit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nga Zëvendëspresidenti Andras Simor dhe Oleg Levitin, këshilltar i lartë, ku gjatë një dreke pune u bisedua për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe BERZH-it me qëllim që Kosova si shtet i ri të ketë mundësi të përfitojë sa më shumë nga programet e BERZH-it. Zëvendëspresidenti Simor siguroi se BERZH do ta mbështesë Kosovën në proceset e zhvillimit ekonomik dhe demokratik.
Ai po ashtu u shpreh i kënaqur me progresin e arritur në Kosovë duke theksuar se përparimet po shkojnë në drejtimin e duhur në të gjitha planet.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në BERZH, zëvendëskryeministrja Tahiri mbajti një ligjëratë me ekspertët e BERZH-it të angazhuar për çështjet e rajonit ku në veçanti foli për politikat e shtetndërtimit demokratik të Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.