Tahiri: NATO është sinonimi i lirisë së Kosovës
Tiranë, 3 prill - Zëvendëskryeministrja e Kosovës, znj. Edita Tahiri mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë \"Bashkëpunimi transatlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkan: Agjenda Shqiptare për integrimin në BE dhe NATO\" të organizuar nga Qendra për Politikat Shqiptare në Tiranë, që u mbajtë dje më 2 prill 2014.
Në panelin kryesor të kësaj konferenca, znj. Edita Tahiri ishte së bashku edhe me z. Jonathan Moore, Drejtor për çështje të Evropës Jug-qendrore nga Departamenti amerikan i shtetit, z. Lulzim Basha, Kryetar i PD-së dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Pandeli Majko, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ish Kryeministre dhe ish Ministre i Mbrojtës së Shqipërisë dhe znj. Edith Harxhi, ish zëvendësministre e punëve të jashtme të Shqipërisë dhe drejtore ekzekutive e Qendrës për Politikat Shqiptare/Albanian Policy Center.
Tahiri tha se NATO është sinonimi i lirisë së Kosovës pasi ishte aleanca veriatlantike në krye me SHBA-të që e çliruan Kosovën në vitin 1999 duke ndalur luftën dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve. NATO vendosi sovranitetin e popullit mbi atë të shteteve, vendosi vlerat e popullit mbi atë të diktaturave.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për paqe dhe siguri dhe agjendën euro-atlantike të Kosovës dhe Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi ajo tha se një bashkëpunim i tillë është prioritet strategjik për neve si komb dhe si shtete, por shprehu besimin se një bashkëpunim i tillë ka rëndësi edhe për gjithë rajonin e Ballkanit me qëllim që të arrihen vlera të qëndrueshme të paqes dhe sigurisë.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri theksoi se agjenda e Kosovës dhe agjenda shqiptare për integrimin në NATO dhe BE dhe aleanca strategjike me SHBA-të përbëjnë themelet e politikës së jashtme të Kosovës dhe në historinë e re të kombit shqiptar kemi një unitet të plotë për orientimet pro-perëndimore dhe pro-amerikane.
Ajo tha se partneriteti transatlantik duhet ta fuqizojmë mëtej dhe ky partneritet duhet të ketë për bazë tre paradigma: koherencën mes vizionit dhe vlerave euroatlantike duke thelluar reformat në vendet tona, unitetin me të madh në partneritetin transatlantik sidomos në rastet e sfidave të ndjeshme të sigurisë globale dhe fuqizimin e mendësisë transatlantike për të qenë më të ndërgjegjshëm për rolin e bashkëpunimit mes SHBA-së, BE-së dhe NATO-s në ruajtjen e sistemit ndërkombëtar dhe paqes globale.
Ajo po ashtu tha se shqiptaret e bashkuar rreth agjendës euroatlantike janë fuqia e integrimeve, duke shtuar se faktori shqiptar në rajon duhet organizuar dhe duhet punuar se bashku të integrohen në strukturat euroatlantike.
\"Shqipëria 5 vite në NATO, Kosova 6 vite e pavarur, shqiptarët e Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi të faktorizuar janë në pozitë më të mirë, ndërsa çështja e Çamëve ka dalë nga pluhuri i harresës, po ndërkombëtarizohet dhe kërkon trajtim serioz mbi parimet e demokracisë. Shekulli i 20 ishte shekulli i ndarjes dhe shtypjes së padrejtë të shqiptarëve, ndërsa shekulli i 21 duhet të jetë shekulli i fuqizimit të shqiptarëve dhe të drejtësia duhet të vie në vend për neve. Këtë paqe dhe siguri që kemi arritur sot është e mirë por duhet bërë e qëndrueshme. Duhet të kemi kohezion mes vizionit euroatlantik dhe vlerave euroatlantike\", deklaroi znj. Tahiri.
Ajo poashtu shtoi se \"Duhen investime në arsim. Të forcojmë Kombin tonë, duke njohur sistemin e vlerave, duhet të njohim arritjet, por duhet që të vëmë re edhe problemet. Duhet të kemi më shumë njohje mes njëri-tjetrit, ndarja 100 vjeçare na ka bërë që të mos njihemi me njëri tjetrin aq sa duhet\".
Ajo shtoi se shtetet e Ballkanit duhet të punojnë më shumë për shtetin ligjor, duke shtuar se në të gjithë shtete e Ballkanit ende ka mungesë në demokraci, probleme me zbatimin e ligjit, ekonomia është e dobët dhe ka korrupsion që po kthehet në pengesë për qeverisje të mirë.
Poashtu znj.Tahiri tha se ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe njohja e Kosovës nuk është thjeshtë njohja e këtij shteti por është forcimi i sigurisë në rajonin e Ballkanit, duke shtuar se nuk mund të krahasohemi me Krimen pasi që Kosova ka lindur si shtet i pavarur në mënyrë legale dhe legjitime në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtare nga shpërbërja e një shteti artificial si ish-Jugosllavi.
Përveç znj.Tahiri, në konferencë morën pjesë edhe Jonathan Moore, Drejtori i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, Arta Dade, kryetare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, Majlinda Bregu, Kryetare e Komisionit parlamentar për integrimin evropian, Arben Malaj, ish minister i ekonomise, Mimoza Kusari Lila, kryetare e komunës së Gjakovës, Teuta Arifi kryetare e komunës së Tetovës, etj..
Me këtë rast z.Jonathan Moore dha përkrahje të fuqishme për integrimet euroatlantike, duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë sa më shumë në reformat që duhet përmbushur për një integrim të suksesshëm. Ai tha se Kosova po ashtu pritet të përfshihet në partneritetin për paqe të NATO-së.
Po ashtu gjatë qëndrimit në Tiranë, znj. Tahiri mori pjesë edhe në pritjen që Presidenti i Shqipërisë organizoi me rastin pesë vjetorit të hyrjes se Shqipërisë në NATO.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shoqërohej nga këshilltarët Gazmir Raci dhe Visar Xani.