11 Janar 2025

Tahiri merr pjesë në samitin e shteteve të Unionit Afrikan

Adis Ababa, 28 janar - Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka zhvilluar një vizitë pune në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Ababa, ku aktualisht është duke u mbajtur Samiti i Unionit Afrikan. Qëllimi i kësaj vizite ishte lobimi për shtimin e njohjeve të Republikës së Kosovës nga ana e vendeve anëtare të Unionit Afrikan.

Zëvendëskryeministrja Tahiri pati takime të shumta me kryesues të delegacioneve të vendeve anëtare të Unionit Afrikan, me theks të veçantë, me ato vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Tahiri, takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit z. Mohamed Kamel Amr, pastaj ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë z. Bernard Membe dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Seishellit (Seychelles) z. Jean-Paul Adam.

Në këto takime zëvendëskryeministrja Tahiri i ka njohur bashkëbiseduesit me zhvillimet pozitive në ndërtimin e shtetit demokratik dhe sovran të Kosovës dhe me angazhimet e fuqishme për avancimin e këtij përparimin në fusha të ndryshme.

Ajo i njohu ata me përparimet e agjendës së Kosovës drejt integrimeve euroatlantike e po ashtu foli për përmbylljen e suksesshme të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës si dhe për kontributin që Kosova është duke e dhënë për stabilitetin dhe paqen e qëndrueshme në rajon.

Zëvendëskryeministrja Tahiri në këto takime kërkoi njohjen e shtetit të Kosovës si dëshmi e përkushtimit të tyre për njohjen e sakrificës së popullit të Kosovës për çlirim, për njohjen e vlerave të përbashkëta për liri dhe vetëvendosje dhe për shtrirjen e demokracisë, paqes dhe stabilitetit anë-e-kënd botës.

Ajo me këtë rast ofroi argumente relevante politike, legale dhe historike për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës përfshirë vendimin e GJND-së në mbështetje të pavarësisë. Zëvendëskryeministrja ritheksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës është gjithashtu kontribut për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

Nga ana tyre, përfaqësuesit e vendeve të Unionit Afrikan që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë shprehur kënaqësi për këto takime dhe kanë bërë të ditur se po përcjellin me vëmendje zhvillimet pozitive në Kosovë.

Po ashtu nga ata u bë e ditur se shumë shpejtë priten njohje të reja për shtetin e Kosovës duke qenë se disa prej vendeve anëtare të Unionit Afrikan janë në fazën e fundit të formalizimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Adis Ababa, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u takua me diplomatin amerikan, z. Jonathan Moore aktualisht Drejtor i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore dhe Çështje Euro-Aziatike në Departamentin e Shtetit, me ç’rast u rikonfirmua mbështetja e fuqishme e SHBA për zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

Po ashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri u takua me Ambasadorin e Shqipërisë në Egjipt, Nuri Domi me të cilin u diskutuan shtigjet e bashkëpunimit në planin diplomatik.

Në delegacionin e zëvendëskryeministres Tahiri ishin edhe Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i zëvendëskryeministres Tahiri, Sami Ukelli, Drejtor i Përgjithshëm i ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Zana Rudi, këshilltare politike e Ministrit Hoxhaj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)