15 Janar 2025

Tahiri: Kosova po krijon klimë për investime

Uashington, 6 maj - Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri po qëndron në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjatë ditës së sotme në Washington ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë amerikan në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë.

Në Departamentin amerikan të Shtetit, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u prit nga zëvendësndihmës sekretari i shtetit z.Hoyt Yee, me të cilin bisedoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe për mbështetjen amerikane për perspektivën euro-atlantike të shtetit të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, fillimisht shprehu mirënjohjen e lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve në proceset e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ajo tha se SHBA-të janë aleati kryesor i yni dhe ishin me ne në rrugëtimin tonë të gjatë dhe plotë sfida për bërjen e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës, ndërsa theksoi nevojën që SHBA të vazhdojnë rolin udhëheqës në rajon në ndihmë të paqes së qëndrueshme dhe sigurisë si dhe në demokratizimin e gjithë rajonit.

Tahiri më pas njoftoi për progresin e arritur në Kosovë në gjashtë vitet e pavarësisë duke thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për të jetësuar vizionin euro-atlantik për Kosovën. Politika jonë e jashtme ka orientimet e qarta perëndimore dhe ne jemi duke e ndërtuar shtetin e Kosovës me një arkitekturë euro-atlantike, duke çuar përpara qëllimet tona strategjike që Kosova sa më shpejtë të bëhet anëtare e BE, NATO, OKB e organizmave tjerë relevant ndërkombëtarë, tha znj. Tahiri.

Tahiri, në veçanti theksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për forcimin e brendshëm të shtetit për të mirën e të gjithë qytetarëve si dhe në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ajo përmendi prioritetet shtetërore për forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin e një ekonomie të tregut, konsolidimin e mëtejmë të një demokracie funksionale dhe lirive dhe të drejtave të njeriut dhe komuniteteve si dhe avancimin e arkitekturës së sigurisë përmes  transformimit në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Ajo vuri në pah investimet strategjike në infrastrukturë dhe krijimin e një klime më të favorshme për investime të jashtme, dhe shprehu dëshirën që në të ardhmen të rriten investimet e bizneseve amerikane në Kosovë.

Duke folur për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian ajo përmendi faktin që këto ditë Kosova ka përmbyllur me sukses negociatat me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit dhe me këtë rast Kosova ka hyrë në një proces zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.  Ajo potencoi rëndësinë e përparimeve të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe rritjen e numrit të njohjeve për të cilat kërkoi vazhdimin e mbështetjes amerikane.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha po ashtu se shteti i Kosovës është një faktor paqeje në rajon dhe promotor i politikave evropiane për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, të cilën e kemi dëshmuar edhe në dialogun ndërshtetëror me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjes së SHBA-ve, duke përmbushur standardet evropiane për fqinjësi të mirë.

Nga ana tjetër, zëvendësndihmës sekretari i shtetit z. Hoyt Yee konfirmoi mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për zhvillimin dhe forcimin e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës. Ai theksoi se Qeveria amerikane vlerëson lartë progresin e arritur në Kosovë dhe shpreh mirënjohje Qeverisë së Kosovës për këto arritje të mëdha në një periudhë relativisht të shkurtër të shtetndërtimit të Kosovës.

SHBA-të mbështesin perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe ne ju urojmë për përmbylljen e suksesshme të negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asocim me BE-në që do të nënshkruhet në kohën e duhur, me të cilën rruga e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është qartësuar dhe siguruar, tha z. Hoyt Yee duke inkurajuar më tej  Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë rrugën e reformave evropiane. Ai po ashtu tha se Qeveria amerikane ka mbështetur transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe mbështet futjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe me NATO-n. Kosova e ka vendin e sajë në NATO dhe të gjithë duhet të angazhohemi që kjo të ndodh sa më shpejtë, tha ai.

Hoyt Yee tha se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran po dëshmon pjekuri të lartë politike duke marr vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj të sigurt euroatlantike. Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e përgjithshme në Kosovë do të ndikoj në fuqizim e mëtejme të shtetit të Kosovës për gjithë qytetaret e Kosovës duke përfshirë dhe pakicat.

Ai më pas tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka dhënë rezultat pozitive dhe SHBA-të kërkojnë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve është në interes të paqes dhe stabilitetit rajon dhe të integrimeve evropiane. Ai siguroi se SHBA-ja do të vazhdojë angazhimet e saja për Kosovën dhe Ballkanin dhe se shteti i Kosovës vlerësohet si një partner serioz dhe shumë i çmuar. Ndërkaq, shtoi se lidhja e veçantë e krijuar mes SHBA-së dhe Kosovës është një dëshmi e fuqishme për një mirëbesim reciprok dhe një përkrahje të pa rezervë afatgjate në mes të dy vendeve tona.

Për nder të vizitës së Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, Drejtori për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore të Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore shtroi një drekë zyrtare në Departamentin e Shtetit gjatë së cilës bisedimet u fokusuan në konkretizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e interesit të përbashkët si dhe për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.

Në vazhdim të agjendës së sajë në Washington, zëvendëskryeministrja Tahiri u prit në Këshillin për Siguri Nacionale të Shtëpisë së Bardhë nga Jessica Kehl, Drejtoreshë për Ballkanin dhe vendet e Kaukazit dhe Samantha Smith, drejtoreshë në ardhje. Gjatë këtij takimi u bisedua për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, me ç ‘rast Drejtoresha Kehl siguroi se SHBA-të mbeten të përkushtuara për ta mbështetur shtetin e Kosovës në të gjitha planet dhe në veçanti në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Poashtu gjatë ditës, znj. Tahiri u takua edhe me Tom Duffy, Drejtor i Misioneve të OKB-së në Departamentin e Shtetit.
Ndërkaq gjatë vizitës në SHBA znj. Tahiri  pritet të zhvillojë takime edhe me përfaqësues  tjerë të qeverisë amerikane dhe të Kongresit amerikan.


Zëvendëskryeministrja Tahiri u shoqërua në këto takime nga Ambasadori i Kosovës në Washington, Akan Ismajli dhe këshilltarët politik, Dren Zeka, Elona Cecelia dhe Visar Xani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)