Tadiq kërkon nga Nikoliqi plan për Kosovën
Beograd, 28 maj - Lideri i Partisë Demokratike të Serbisë, Boris Tadiq, ka deklaruar se Serbia përballet me sfidën e madhe me Kosovën.
Ai ka thënë se nga Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq pret që të paraqesë planin e tij dhe të marrë përsipër përgjegjësinë për udhëheqjen e politikës ndaj Kosovës.
Tadiq ka thënë se propozimi i tij për zgjidhjen e problemit të Kosovës nuk ka marrë mbështetjen në zgjedhje, ndërsa Nikoliq në fushatën zgjedhore ka theksuar se Presidenti i Republikës duhet të zhvillojë negociata teknike për Kosovën, raportojnë mediat serbe.
Unë plotësisht respektoj atë qëndrim. Propozimi im nuk mori shumicën në zgjedhje dhe pres që Presidenti i Republikës të paraqesë planin e tij dhe të marrë përsipër pjesën e përgjegjësisë për udhëheqjen e politikës ndaj Kosovës, ka theksuar Tadiq.
Sipas tij, për problemet e tjera me të cilat Serbia përballet, do të jetë përgjegjëse qeveria.