Tadiq kërkon kompromis historik shqiptaro-serb
Beograd, 12 nëntor - Presidenti serb Boris Tadiq ka akuzuar Prishtinën se po i "shmanget dialogut" me Beogradin dhe se "praktikisht po e shtyn", sepse sipas tij, "ashiqare ai nuk i përgjigjet" Prishtinës.
"Kjo është më se e qartë, përndryshe dialogu tashmë do të fillonte", është shprehur Tadiq në një intervistë të gjatë për të përditshmen "V. Nvosti".
Sa i përket vërejtjeve ndaj politikës aktuale serbe ndaj Kosovës se dialogu nuk do të trajtojë statusin e Kosovës, Tadiq tha se atij fare nuk i intereson "forma e bisedimeve", sikur as titulli, por atij i intereson "zgjidhja e ardhshme".
"Ndërsa dëshirojmë të zgjidhim konfliktin historik të serbëve dhe shqiptarëve. Të vejmë pikën mbi vrasjet, përndjekjet dhe djegiet. Në kërkim të një kompromisi jemi të gatshëm të bisedojmë me shqiptarët për të gjitha problemet që brengosin në Kosovë. Të presim që dialogu të japë rezultate, pastaj do të gjykojmë nëse kemi punuar mirë apo keq", është shprehur Tadiq.
Tadiq iu shmang përgjigjes në pyetjen se me cilin rezultat do të ishte i kënaqur, duke thënë se po ta thoshte, do të pengonte "efektet pozitive".
"Më duhet të jem i përgjegjshëm dhe këtë mos ta bëj", theksoi ai. Në pyetjen nëse me kultivimin e "marrëdhënieve të mira fqinjësore" Serbia në mënyrë indirekte do ta njihte Kosovën, Tadiq u përgjegj negativisht.
Ai thotë se ka mënyra për të kultivuar marrëdhënie të mira me Prishtinën, pa e njohur Kosovën. Vetë dialogu në të cilin po hyjmë sipas tij është një formë e marrëdhënieve të mira.
"Serbia do ta njihte Kosovën vetëm atëherë kur do ta miratonte aktin në mbledhjen e Qeverisë për njohjen e Kosovës. E po kjo nuk do të ndodhë, dhe ata që trillojnë se Serbia me këtë apo atë gjest gjoja e njeh Kosovën, në të vërtetë mashtrojnë dhe qëllimisht shqetësojnë publikun. Në këtë mënyrë drejtpërdrejt pengojnë mbrojtjen e interesave tona legjitime", tha Tadiq.
Presidenti serb ka thënë në këtë intervistë se pas "goditjes së madhe" që përjetoi Serbia nga GJND, ia ka dalë të mbetet në një "pozicion aktiv", kur bëhet fjalë për interesat e saj, duke mos shfaqur amqiqësi ndaj askujt, më së paku ndaj BE-jë.