Tadic për status special apo ndarje të veriut

Beograd, 22 shtator - Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, do të tentojë që nga takimet me liderët botërorë, në New York, të marrë mbështetjen që problemi për pikat kufitare me Kosovën të zgjidhet duke aplikuar planin e Ban Ki-moonit të vitit 2008.
Aplikimi i këtij plani, sipas qarqeve politike serbe, është tentim që bashkësia ndërkombëtare të pranojë se veriu është i veçantë, pas së cilës mund të nisnin edhe bisedimet për autonomi apo ndarje, shkruan ditorja Blic.
Sesioni i Asamblesë së Përgjithshme ka filluar, ndërsa Tadic pret të takohet me zyrtarët më të lartë të SHBA-ve, Rusisë dhe BE-së për të marrë nga ta mbështetje për qëndrimet e Beogradit.
Pos tentimit që situata në veriun e Kosovës të zgjidhet në dobi të serbëve, që nënkupton largimin e doganierëve dhe policëve të Kosovës nga Bërnjaku dhe Jarinja, ai do të tentojë të hap edhe rrugën e bisedimeve për veriun.