Tadiç: Kosova jo parakusht për anëtarësimin në BE
Beograd, 16 qershor - Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se Kosova nuk është parakusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian, por ka theksuar se nuk ka dilema se disa shtete do të insistojnë që Serbia ta zgjidhë këtë çështje para se të hyjë në BE.
Kosova nuk është parakusht për integrime europiane të Serbisë, por nuk duhet përhapur iluzioni se kjo nuk është problem në integrimet europiane, tha Tadiç.
Duke u shprehur për dialogun me Prishtinën, Boris Tadiç, theskoi se Beogradi është shumë konstruktiv në këto bisedime.
Ne para se gjithash dëshirojmë ta zgjidhim konfliktin dhe të gjejmë një zgjidhje teknike për problemet e qytetarëve në Kosovë, pa marrë parasysh kombësinë, përfshirë transportin e mallrave dhe shërbimeve, edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në forumet rajonale, tha Tadiç.
Në vijim ai theksoi se asnjë lloj presioni ndaj Serbisë, para fitimit eventual të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, nuk do të ketë efektivitet.