Tadiç i kërkon OSBE-së të mbetet neutrale ndaj Kosovës
Astana, 3 dhjetor - Presidenti serb Boris Tadiç i kërkon OSBE-së të mbetet tërësisht neutrale ndaj statusit të Republikës së Kosovës.
Këtë kërkesë Tadiç e lëshoi gjatë fjalimit të Samitin OSBE-së që po zhvillohet në Astana të Kazakistanit.
"Presim që të mos të ketë përpjekje për ndryshim të realiteteve në terren, derisa bisedimet të jenë duke u zhvilluar. Çdo përpjekje që ai realitet të ndryshohet, me përdorimin e forcës, do të sjellë ndërprerje urgjente të dialogut", ka thënë Tadiç në këtë samit.
Gjithashtu, Presidenti serb ka thënë se pret që të ndalen përpjekjet e vazhdueshme për të njohur Kosovën, duke shtuar se disa prej anëtareve të OSBE-së, sikur edhe të BE-së, janë përmbajtur nga njohja e pavarësisë së Kosovës.
Tadiç ka thënë se përkundër faktit që bashkëpunimi rajonal nuk ka qenë kurrë më i mirë se tani, situata është ndërlikuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
"Qëndrimi parimor i Serbisë mbetet i pandryshueshëm. Nuk do ta njohim pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, as në mënyrë eksplicite as në mënyrë implicite", ka thënë Tadiç.